Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e së martës në aksin rrugor Plepa – Kavajë dhe pikërisht te zona e Malit të Robit.

Dalja nga rruga e një automjeti ka cuar në aksidentimin me vdekje të drejtuesit të tij dhe plagosjen e katër personave që udhëtonin në automjetin tjetër, tip fuoristradë.

Paraprakisht deklarohet se viktima është drejtuesi i automjetit “Ibiza” me targa greke, shtetasi Rezart Hoxha, 37 vjec nga Kavaja. Ai ka dalë nga korsia ku lëvizte dhe është përplasur fillimisht me shtyllën e ndricimit dhe më pas me një automjet tip Volksvagen me targa AA 247 BA që udhëtonte në korsinë tjetër.

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar disa autoambulanca si dhe forcat zjarrfikëse që kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave nga makinat e përfshira në aksident dhe dërgimin e tyre në spital dhe morg.

Mes të plagosurve janë Leondard Bano 45 vjec nga Fieri që drejtonte automjetin Volksvagen, si dhe 3 pasagjerët e tij, dy prej të cilëve gra. Njëra prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacionin e spitalit të Durrësit, ndërsa tre të tjerët deklarohet të jenë jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet e para rezulton se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte viktima, ndërkohë policia rrugore ka marrë masa për largimin e automjeteve nga vendi i ngjarjes për të mundësuar lëvizjen normale në këtë aks të rëndësishëm rrugor.
 

Top Channel