Drejtori i përgjithshëm për Çështjet e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Stefano Sanino është takuar me presidentin Bamir Topi.

Bashkëbisedimi mes tyre është përqëndruar në tematika aktuale të realizimit të reformës zgjedhore, rëndësia e miratimit të ligjit për Gjykatën Administrative, por dhe mbi ligje që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Kuvend.

Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha gjatë takimit me z. Stefano Sanino ka shprehur angazhimin e mazhorancës për rëndësinë e padiskutueshme të respektimit, me vullnet të mirë politik, të shtetit të së drejtës, Kushtetutës dhe zbatimit të ligjit, si kusht për progresin e vendit dhe integrimin e tij evropian.

Pas takimit me zëvëndës kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtëme Edmond Haxhinasto, drejtori i Zgjerimit në Komisionin Europian paralajmëroi një rrugëtim të gjatë të Shqipërisë drejt familjes europiane, kur u pyet nga Top-Channel se cilat janë shqetësimet e Brukselit në rrugën që po ndjek vendi ynë në plotësimin e 12 prioriteteve.

“Ky është qëllimi i axhendës sime sot, në takimet që do të zhvilloj edhe me ministren e Integrimit, Komisionin e Integrimit Evropian dhe në këtë kuadër, miratimi i Planit të rishikuar të Veprimit për plotësimin e prioriteteve do të shërbejë si një bazë e mirë për punën në të ardhmen, për t’u fokusuar në disa prioritete kyçe, gjë e cila do të ndikojë në krijimin e një klime të mirë për të forcuar dialogun politik në vend. Është akoma një rrugë e gjatë përpara por është plotësisht e mundshme”, deklaroi Sanino.

I shoqëruar nga kreu i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi dhe ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, zoti Sanino ka zhvilluar edhe një takim në komisionin parlamentar të integrimit europian, ku kërkoi që plani i veprimit i qeverisë shqiptare për integrimin të ketë mbështetjen e të gjitha institucioneve.

Gjithashtu, pjesë e takimeve të Saninos ishte edhe një takim me kreun e opozitës Edi Rama, i cili përsëriti angazhimin e opozitës në proceset integruese.

Top Channel