Tentativë vetëvrasje në qendër të Tiranës

04/02/2012 19:35

Për afro dy orë, një ish-polic, ka mbërthyer pas vetes qindra kureshtarë duke tentuar vetëvrasjen nga një lartësi prej 80 metrash.

Qemal Xhura me origjinë nga Gramshi, i vendosur në Tiranë, para pak vjetësh ka kaluar në depresion nervor, si pasojë e një gjendje të rënduar ekonomike në familje.

Xhura ka vendosur t’i japë fund jetës së tij, duke u hedhur nga një vinc në afërsi të “Ushtarit të Panjohur”. Kanë qenë pikërisht kalimtarët e shumtë që kanë kaluar në qendrën e kryeqytetit, të cilët kur e kanë pikasur pak para se ora të shënonte 18:00 kanë lajmëruar policinë.

Pasi ka rrethuar vendin e ngjarjes, forcat policore kanë bërë bllokimin e zonës në një perimetër të gjërë, duke hamendësuar zonën ku mund të binte Xhura, në rast se do të zbatonte skenarin e tij vdekjeprurës që kishte ndërmend.

Forcat e policisë së Drejtorisë së Tiranës, nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të hyrë në bisedë me të duke pritur forcat RENEA të specializuara për ndërhyrje në raste të tilla.

Pasi kanë mberritur forcat RENEA, negociatori i tyre ka mundur ta bindë ish-policin, për të hequr dorë nga vetëvrasja. Xhura është kthyer mbrapsht nga vinci ku qendronte për një kohë të gjatë dhe ka hequr dorë nga vetëvrasja.

Ai është shoqëruar fillimisht për në spital, për të marrë një qetësues mjekësor të rastit për gjendjen e shokuar të cilën po kalonte.

Sipas shpjegimeve të tij, papunësia ka qenë shkaku për të cilën kishte vendosur t’i jepte fund jetës.

Top Channel