Qeveria austriake mbështet taksën progresive

03/02/2012 00:00

Me ftesë nga Partia Socialiste Austriake SPO, Edi Rama është duke
zhvilluar një vizitë në Austri. Një takim sa për të shkuarën  aq edhe
për të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit. Kështu e ka vlerësuar Rama takimin me ish-kancelarin austriak Vranitzky.

Idetë dhe qendrimet e tij janë  cilësuar nga  Rama si “shumë inkurajues për programin e PS-së”. Gjatë takimit me Christine Muttonen sekretarja  e Grupit Parlamentar Socialist për Politikën e Jashtme dhe Marrëdheniet me Europën, Rama ka bashkëbiseduar mbi situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, si dhe mbi ecurinë e vendit tonë në rrugën e integrimit europian.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Austri, lideri i opozitës ka patur një mëngjes pune më Sekretarin e Shtetit për Financat, Andreas Schieder, ku është diskutuar për modelin e taksimit progresiv që PS synon të vendosë në qeverisjen e saj.

“Sot ne folëm për ekonominë, në veçanti në lidhje me krijimin e një sistemi taksimi më të favorshëm e më të drejtë. Unë besoj se aplikimi i një takse të sheshtë në nivel të ulët nuk është një ide e mirë, pasi vetëm favorizon të pasurit dhe i merr paratë njerëzve të varfër. Sistemi i taksave duhet të jetë i drejtë dhe i paanshëm; kete e ben taksa progresive. Çështjet e taksave që lidhen me të ardhurat; gjithashtu aplikimi i tatimit mbi fitimin kapital, sepse duhet të sigurohemi që shoqëria jonë të mos ndahet por të qëndrojë e bashkuar. Mendoj se kjo eshtë e rëndësishme si për Austrinë ashtu edhe për Shqipërinë. Ky është një debat që po ndodh tashmë në nivelin Europian dhe unë jam i lumtur qënë të ardhmen e afërt do ta thellojmë këtë debat edhe me miqtë tanë në Shqipëri”, tha Schieder.

Top Channel