“Gjeneralët u shkarkuan sipas ligjit”

03/02/2012 00:00

Arian Starova përfaqësonte Shqipërinë në Ministerialin e radhës të NATO-s. Zëvendës/ministri sqaron qëndrimin e vendit në lidhje me debatet për misionin në Afganistan.

“Shqipëria ka deklaruar, jo sot, por dhe më parë se do të qëndrojë në Afganistan, për sa kohë do të jetë nevojë e misionit të NATOs. Kjo do të thotë që Shqipëria do të qëndrojë jo vetëm deri ne 2014, por dhe përtej, në formën e duhur. Aktualisht, Shqipëria ka rreth 350 trupa, të cilat janë të përfshirë dhe ne luftime, dhe ne detyra të tjera ushtarake, por kanë filluar dhe në misione trajnimi, apo stërvitje të trupave afgane”, tha Arian Starova, Zëvendësministër i Mbrojtjes.

Zëvendësministri u pyet edhe për shkarkimin e disa gjeneralëve dhe padinë e tyre ndaj Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas Starovës, gjithçka është bërë brenda rregullave, dhe sipas tij në kuadër të reformave të NATO-s.

“Besoj, të gjithë këto veprime që janë bërë, kanë qënë në përputhje me ligjin, sepse, siç dihet, duke qenë një vend anëtar i NATOs, Shqipëria të gjitha lirimet e ushtarakëve që bën, i bën në përputhje me kohën e qëndrimit në një gradë të caktuar. Përsa i përket atyre shkarkimeve, apo lirimeve nga shërbimi ushtarak, i atyre gjeneralëve që përmendet, të cilat janë bërë me dekret përfundimtar të Presidentit të Republikës, unë di që janë bërë të gjitha në përputhje me kohën e qëndrimit në gradë të caktuar.  Për sa kohë, në një gradë nuk mund të qëndrosh, pa patur një detyrë të caktuar, natyrisht që duhet të lirohësh, dhe kjo nuk është vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha vendet e NATO-s, si dhe për të gjitha ushtritë e tjera moderne”, tha Starova.

Top Channel: Njëri prej tyre ka përmendur në media problematikën e uniformave apo mundësinë e privatizimit të bazës së bishpallës apo shkollës së marinës në Vlorë.. A është e vërtetë një gjë e tillë?

Arian Starova: Çfarë lidhje kanë këto me gradat, nuk e kuptoj?! Nuk besoj se kanë ndonjë lidhje të caktuar. Natyrisht është e drejta e tyre të thonë çfarë të duan,  por në të vërtetë nuk ka lidhje lirimi i tyre nga shërbimi ushtarak, me këto pretendime.

Top Channel: A është e vërtetë që do të privatizohet për shembull Baza e Bishpallës?

Starova:
Jo, unë nuk kam asnjë informacion për këtë gjë, dhe besoj që e kam të qartë.

Disa gjeneralë të lartë u shkarkuan nga detyra një muaj më parë dhe kanë paditur Ministrinë e Mbrojtjes dhe Presidentin për dekretimin e shkarkimit të tyre, veprim i cili nga gjeneralët në fjalë është cilësuar si i pabazuar në ligj.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel