Hetimet për 21 janarin, u hiqen imunitetet tre deputetëve të PS-së

02/02/2012 00:00

Ashtu sikurse pritej Kuvendi miratoi heqjen e imunitetit tre deputetëve socialistë Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj

Fillimisht ishte deputeti i PD-së, Viktor Gumi, i cili lexoi raportin e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.Heqja e imunitetit për këta deputetë, u kërkua nga Prokuroria e Përgjithshme, për të hetuar mbi organizimin e demonstratës së 21 janarit të vitit të kaluar.

Deputeti socialist Taulant Balla theksoi se me 21 janar ka qenë në bulevard përballë zyrës së Kryeministrit, në përmbushje të detyrës së politikanit dhe qytetarit.

“Po, unë isha në bulevard për të denoncuar qeverisjen tribale, korruptuar në rrënje e degë. Qeveria i bën vrasësit heronj, por maskarenjtë nuk harrohen”, tha Balla, duke akuzuar direkt kryeministrin Sali Berisha për përgjegjësi në vrasjen e katër veteve në 21 janar. Balla kërkoi që edhe kryeministri Berisha të dorëzojë imunitetin dhe të dalë para Prokurorisë për të pranuar fajësinë për vrasjen e katër protestuesve.
          

Deputeti Balla la si dhuratë simbolike për kryeministrin një çadër në foltoren e Kuvendit.

Pas tij ishte deputeti tjetër Tom Doshi deklaroi se është një ndër organizatorët e protestuesve të qarkut të Shkodrës në protestën e 21 janarit.

“Kur nisi dhuna në bulevard i bëra thirrje protestuesve për qetësi. Turma po shpërndahej kur u qëllua me plumba nga Kryeministria”, tha Doshi.

Deputeti Tom Doshi theksoi se qëllimi protestës nuk ishte për të sulmuar Kryeministrinë, ndersa shprehu bindjen se do të jetë përsëri pranë tubuesve, për të hequr nga pushteti Sali Berishën.

Deputeti i tretë socialist Besnik Baraj u shpreh është në nderin dhe detyrën e tij që të vihej, në dispozicion të drejtësisë për t’u hetuar në shërbim të zbardhjes së 21 janarit.

“Në asnjë vend protestuesit nuk qëllohen sepse policia ruan qytetarët”, tha Baraj.

Top Channel