Presidenti i Republikës Bamir Topi dekretoi sot Artan Zenelin, si gjyqtar të Gjykatës së Lartë.

Kjo është hera e dytë që Presidenti i Repubikës dekreton zotin Zeneli për të njëjtin post; hera e parë ishte në qershor të vitit 2008, bashkë me katër gjyqtarë të tjerë. Por atëhere mazhoranca i hodhi poshtë të pestë dekretet e presidentit për Gjykatën e Lartë, me argumentin se ‘Presidenti nuk ishte konsultuar më parë me parlamentin’.

Qysh atëhere Gjykata Kushtetuese ka sanksionuar se dekretimi është në diskrecion të Presidentit të Republikës, po aq sa është në diskrecion të Parlamentit t’i pranojë ose jo dekretet e Presidentit. Por që nga rrëzimi i 5 dekreteve në qershor 2008, një prej emrave të rrëzuar, Medi Bici, mundi ta kalojë provën e parlamentit dy vjet më vonë, në qershor 2010. Mbetet për të parë nëse Parlamenti do ta kalojë edhe kandidaturën e Artan Zenelit.

Zoti Zeneli është aktualisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Tiranë dhe konsiderohet si një nga gjyqtarët më profesionistë dhe me të përvojë të pasur në fushën e jurisprudencës.

Top Channel