Shokët e Bulevardit

01/02/2012 00:00

Hekuran Vladi – Zyrtarisht, Tirana ka disa bulevarde me emra të ndryshëm. Dhe vetëm një pa emër. Ose me emër, por që nuk thuhet.

Nuk ka nevojë, kuptohet thjesht… Sepse AI, është Një dhe i Vetëm! Kryeministri-a, aty kalon Bulevardi në fjalë dhe që prej një viti shkruhet me germë të madhe. Aty, ku më 21 janar 2011, Garda e Shqipërisë kishte urdhër që të bënte sytë katër mbi një demonstratë paqësore, e paragjykuar si prapaskenë provokative që në nisje. Mbarimi dihet, disa prej protestuesve ishin gati të përlesheshin më katërsh. Të tjerë ia dhanë vrapit me të katra e ata që vdiqën ishin katër. U qëlluan pikërisht nga ata që bënë “sytë katër”.

Qytetarë të thjeshtë u vranë me plumb kokës. Me plumb u plagosën dhe u lënduan qytetarë e policë, akoma më të thjeshtë. Pas kësaj, tragjedia e thjeshtëzuar gjer në dhimbje dhe e manipuluar gjer në madhështi, u kujtua gjithnjë e më pak për të humburit e gjithnjë e më shumë për vendin ku ndodhi. U thurën herë vaje e herë bejte për copat e pllakave-çimento që quhen trotuar, disa prej të cilave u lanë me gjak njeriu. Dita-ditës, të vrarët u sfumuan nga lavdia e Bulevardit. E gjitha kjo, sepse aty opozita nisi protestimin, prokurorët filluan hetimin dhe qeveria inskenimin. Bulevardi pra, i gjithë faji është i Bulevardit, se aty e klasifikoi ngjarjen Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë. Kaq u desh që Kryeministri shqiptar, në vijim të retorikës së tij anti-sintaksore, të përdorë një shprehje të rëndë fyese kundrejt saj. E quajti atë… Nuk e them dot. Pata shumë turp kur e dëgjova vjet për herë të parë dhe akoma më i turpëruar u ndjeva kur e papagallizoi para tri ditësh deputeti i Pogradecit, Fatbardh Kadilli. Nga PD-ja, në një konferencë për shtyp, ai foli sërish për Bulevardin. Akuzoi një shoqe dhe mbrojti shumë shokë. Shokë e miq, me të cilët e njeh me pëllëmbë Bulevardin, për shkak të xhirove të përditshme nga kafja, te Kryeministria e anasjelltas. Shokë Bulevardi d.m.th…

Që të mos i hyj më thellë shpjegimit e të shpjegoj edhe se sa semaforë janë rrugës, po tregoj më cekët, por shumë qartë: Të gjithë ata që ridëgjuan në shqip shprehjen e Kadillit me autencitet të Kryeministrit, janë ndier të turpëruar. Ashtu si unë. Të frustruar pse kemi në mes nesh, njërin prej nesh, që e përdor kaq keq gjuhën e folur prej nesh. Ndërsa të gjithë ata të huaj, që e kanë dëgjuar të përkthyer, janë ndier keq pse mund të kenë shtrënguar dikuar dorën Thënësit autentik. Por, si reaguan e vazhdojnë të reagojnë këto dy kategori (shqipfolësit e joshqipfolësit) ndaj shprehjes alla bulevardeske?

Kur flas për ata që u është përkthyer, besoj lexuesi tashmë e ka kuptuar që e kam fjalën për diplomatët dhe përfaqësuesit e tjerë të qeverive të interesuara për zhvillimet në Shqipëri. Pas asaj shprehjeje, prej një viti, ata nuk kanë lënë sebep pa përdorur, veç të mos shtrëngonin duart me Kryeministrin tonë. Gjithsesi, reagimi i tyre është i qartë e i saktë: Asnjë Kryeministër (përfaqësues i pushtetit ekzekutiv) nuk mund të sillet në këtë mënyrë me prokurorin e shtetit (përfaqësues i pushtetit gjyqësor). “Me sjelljen e Tij ndaj Prokurorisë, Kryeministri shqiptar vë në dyshim kapacitetin për të drejtuar qeverinë”, tha njëri prej tyre. NJËRI foli publikisht, pa dorashka, por krejt të kuptueshme ishin edhe mesazhet e atyre diplomatëve që i mbajtën ngrohtë duart në këtë dimër të ashpër. Ata shprehën shqetësimin për institucionin e Prokurorisë, për pavarësinë e pushteteve në Shqipëri, për funksionimin e demokracisë në këtë vend partner. Por në asnjë moment nuk deklaruan shqetësim për personin e sulmuar. Asaj, thjesht i shtrëngojnë dorën…

Të kthehemi te vetja, në tri kategori. Te të gjithë ne që e dëgjuam në gjuhën e nënës. E cila, është gjithashtu edhe gjuha e Fishtës, e Mjedës e Migjenit, e Konicës, e Naimit, e Çabejit etj. Të gjithë u skuqëm dhe jo nga ethet apo temperatura e lartë. U sikletosëm fort. U çnderuam. Kategoria e parë: Indinjata për shprehjet bulevardeske u ndie në çdo shtëpi shqiptari, në kafe, në punë, në xhiro. Ata ishin dhe janë intelektualët, artistët, gazetarët, sportistët, profesionistët e lirë e profesionistët e punësuar në shtet, tregtarët e sipërmarrësit, pra populli. Por me popullin, siç dihet tashmë, nuk merret kush…

Kategoria e dytë: opozita, analistët pranë opozitës, anëtarët e simpatizantët e partisë në opozitë, bënë shpërthimin në media, në rrjetet e tjera sociale, konferenca shtypi. Të gjithë sulmuan e sulmojnë Kryeministrin për fjalorin e rëndë. “Kryeministri është njeri i paturp dhe nuk meriton të jetë Kryeministër. Ne jemi xhentëlmenë dhe nuk e shajmë Prokuroren”, ky është qëndrimi kryesor politik i PS-së. E gjetur si strategji, pasi natyrisht, opozita kërkon rritjen e mbështetjes popullore dhe me të drejtë populli dëshiron më shumë xhentëlmenët, sesa të paturpët. Po për Prokurorinë, titullaren e këtij institucioni, çfarë qëndrimi ka opozita? E ka në fakt një lloj (shpër)qëndrimi në vetvete, që publikisht është ASNJË. Ata, opozitarët, betohen që as e kanë takuar dhe as e takojnë Prokuroren, nuk flasin fare me atë. Pse? Çfarë problemi ka? Hmmmm, hall Bulevardi dhe këtu. U druhen akuzave të Kryeministrit për bashkëpunim në trotuare… Pra, shqetësimi i opozitës është vetëm qeveria dhe pushteti ekzekutiv? Po Prokuroria, pushteti gjyqësor, pavarësia e pushteteve, demokracia etj?

Ka edhe një kategori të tretë që janë të indinjuar me “sloganin” e Kryeministrit drejtuar Prokurores së Shtetit. E thonë me zë të ulët, me njerëzit shumë të besuar të tyre, por kryesisht me veten. Ata janë një pjesë e titullarëve në administratën më të lartë shtetërore dhe sigurisht, më së shumti në Parlament. Janë një dorë ministrash e deputetësh, që sa herë ka nevojë për ndihmë qeveria, ia japin një dorë. Ata, që thjesht rrinë me veshët ngrehur se kur do t’u caktohet radha për të marrë në gojë… shprehjen e ndyrë të Thënësit të parë. E bëjnë me dëshirë e vullnet dhe… E lashë përgjysmë fjalinë, nuk shkon. Dëshirat e tyre të vërteta shkojnë larg, por vullneti nuk ua kalon dot Bulevardin. Të jetë për ata, do t’ia kishin prerë biletën vetes për në cepin më të humbur të botës, veç të mos e bënin. Por jo, ata nuk munden. Janë në punë (në qeveri a në Parlament). Në rrugëtimin e tyre, po të mos bëjnë atë që thotë shefi, e humbin jo vetëm klientin e radhës, por krejt punën.

Siç edhe e thashë, këtyre iu vjen keq për personin e prokurores, pavarësisht se çfarë reagimi kanë. Po për Prokurorinë? Të ndalemi këtu e ta mbyllim. Ata e duan Prokurorinë të shkrirë fare. Të mos ekzistojë as si institucion, as si emër. Është makthi i tyre. Pasi, mundet, kushedi, Prokuroria do të merret edhe me ata, ndoshta edhe me pasuritë e tyre. Dy akuza janë për ta. Për veprimet që kanë bërë në ushtrimin e detyrës, Prokuroria mund t’i marrë nesër nën akuzën për “korrupsion pasiv e aktiv me përfitime në vlera të mëdha”. Ndërsa për mënyrën si po sillen me shprehjen e Kryeministrit, duhet të akuzohen për “ushtrim prostitucioni me qëllim përfitimi”. Dhe kjo është gjë shumë e pisët, po na fyen familjet dhe ndyn ambientin. Të pastrojmë Bulevardin nga shokët!

Gazeta “Shqip”

Top Channel