Humbësit e 21 Janarit

01/02/2012 00:00

Bledar Kurti – Ngjarja e 21 janarit 2011 vazhdon të zaptojë vëmendjen e opinionit
publik. Kjo ngjarje, përveç humbjes tragjike të katër jetëve, dëmit
shpirtëror te të gjithë shqiptarët, turpit të radhës në sytë e botës,
dëshmon edhe një herë për shumëllojshmërinë dhe kompleksitetin e të
metave të politikës dhe shoqërisë sonë.

Edhe pas një viti nga një ngjarje e tillë tejet tragjike, politika jonë dhe vetë ne duket se nuk kemi mësuar asgjë prej saj. Mentaliteti ynë ballkanas, miopia ndaj koncepteve universale, mungesa e kulturës ndaj parimeve demokratike dhe arroganca sociale në tërësi vazhdojnë të demonstrohen në të gjitha nivelet e politikës dhe shoqërisë. Askush nuk po e kupton se humbësit e 21 janarit jemi ne të gjithë.

Kushdo që mendon se ka përfituar apo mund të përfitojë nga kjo ngjarje tragjike është i gabuar. Si mazhoranca ashtu edhe opozita, si media ashtu edhe njerëzit e thjeshtë, si protestues ashtu edhe gardistë, janë të gjithë në anën e humbësve.

Qeveria vazhdon të drejtojë gishtin e fajit ndaj opozitës, duke e ditur se hija e asaj ngjarjeje në oborrin e shtëpisë së saj do ta përndjekë gjithmonë dhe jo vetëm kaq, por do shoqërohet nga shumë net pa gjumë, frikë skenarësh në atelietë e huaja, apo ndonjë shkarje këmbe të dikujt.

Gabimi më i madh i qeverisë është se po drejton gishtin nga opozita, në vend që të ngrejë zërin për vënien e fajtorëve të vrasjeve dhe organizatorët e dhunës ndaj policisë dhe institucionit përpara drejtësisë.

Nga ana tjetër, edhe opozita po bën të njëjtin gabim. Në vend që të tregohej e matur dhe e duruar, pa filluar ende procesi hetimor i thirri fajtorët me emër. Por edhe ajo do persekutohet nga hija e saj, pasi 21 janari nxori në pah një seri problematikash tek lidershipi dhe integriteti i saj. Fatkeqësisht të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën se kush ka gabuar më shumë duke e ditur fare mirë se të dyja bashkë shkruan ngjarjet e 21 janarit.

Edhe pas një viti, si qeveria ashtu edhe opozita vazhdojnë të tallen me institucionin e prokurorisë dhe pushtetin e drejtësisë në përgjithësi. Kjo tallje nuk ndodh vetëm në nivelin e politikës por edhe në media dhe në komentet e gjithsecilit prej nesh. Në vend që kjo çështje e një rëndësie jashtëzakonisht të veçantë të lihet në duart e juristëve profesionistë, të cilët duhet ta mbajnë opinionin publik të informuar mbi argumente ligjorë, politika hedh shashka të përditshme absurde, duke politizuar pikërisht një ngjarje që duhet të na bashkojë të gjithëve larg influencave politike në shoqëri, media dhe sidomos në drejtësi.

Në parimin e ndarjes së pushteteve vetëm gjyqësori duhet të jetë apolitik, pasi si ekzekutivi ashtu edhe legjislativi kanë si mekanizëm pune politikën. Për këtë arsye, për të dëshmuar se vendi ynë e respekton një ndarje të tillë, Kryeministri i vendit nuk duhet të shprehet se nuk e njeh Prokuroren e Përgjithshme, pasi edhe ajo mund të kundërpërgjigjet me të njëjtin argument, dhe kryetari i opozitës nuk duhet të bëjë një show mediatik përpara shqiptarëve se ofrohet të dëshmojë përpara drejtësisë, pasi kjo tregon se ai ofendon prokurorinë, pasi ajo nuk ka nevojë për lejen dhe ofertën e tij për t’u marrë në pyetje, nëse lypset një nevojë e tillë. Dëgjova diku se më në fund, z. Rama u tregua guximtar, duke dalë i pari në krye të opozitës për t’iu nënshtruar drejtësisë, por a nuk do kishte qenë më mirë të kishte dalë i pari përpara protestuesve që 21 janari të mos mbahej më mend?

Përveç politikës bizantine, arkaike dhe pa integritet, që vazhdon të evidentohet nga qëndrimi që kanë palët për 21 janarin, kjo ngjarje dëshmoi edhe një herë raportin e ndërkombëtarëve me ne. Është përmendur shpesh ditët e fundit se dalja e ambasadorit Arvizu në krah të Kryeprokurores Ina Rama dëshmon që në 100- vjetorin e pavarësisë, ne jemi më të varur se kurrë. Gabimi ynë është se besojmë shumë në teori konspirative dhe i japim më rëndësi seç duhet deklaratave të ambasadorëve të huaj, të cilët përgjigjen kur pyeten, marrin pjesë kur ftohen, flasin kur i vendoset një mikrofon përpara dhe bëjnë detyrat për të cilat paguhen. Ndërsa ata kryejnë me profesionalizëm detyrën në shërbim të popullit të tyre, ne i interpretojmë me amatorizëm deklaratat e tyre për të konfuzuar veten dhe popullin tonë.

Spekulimet mbi 21 janarin rëndojnë edhe te media vizive dhe shtypi i shkruar. Në daljen e saj të fundit televizive, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, shpeshherë e bëri drejtuesin e emisionit të turpërohet pasi, siç e pohoi edhe ai vetë, nuk i njihte mirë termat ligjorë. Sigurisht nuk ka vend për kritikë ndaj drejtuesit të emisionit, Blendi Fevziu, pasi çdo njeri ka formimin në fushën që ka zgjedhur, por është e gabuar që analistët, gazetarët, politikanët, militantët dhe të gjithë njerëzit e thjeshtë të hiqen si juristë dhe t’i imponohen opinionit publik. Nuk ka të madh apo të vogël në Shqipëri që nuk ka një teori të veten, se pse ndodhi dhe kush është fajtori apo fajtorët për ngjarjen e 21 janarit. Argumentet juridikë, terminologjia, vija logjike, qëndrimi, stili, autoriteti, madje edhe sharmi, që shpalosi Prokurorja e Përgjithshme përpara shqiptarëve bëri që shumë prej nesh të mos spekulojmë më me çështje që nuk i përkasin as politikës, as spektakleve televizive dhe as mburrjeve intelektuale apo fjalimeve të rëndomta në kafene apo pijetore.

21 Janari duhet trajtuar me seriozitet dhe profesionalizëm. Ndërkohë që jurisprudenca lëviz mekanizmat e veta në zbardhjen e çështjes apo vënien në vend të drejtësisë, politika, media dhe e gjithë shoqëria duhet të tregohen seriozë, duke mos qenë palë në veprime dhe mendime, pasi të gjitha palët kanë humbur pas asaj ngjarje. Do ishte qytetari të përfshihemi emocionalisht në dhimbjen e familjeve që humbën familjarët e tyre dhe demonstrojnë solidaritet me forcat e policisë, sidomos ato që u plagosën, do ishte integritet dhe maturi nëse e mposhtim militantizmin tonë dhe presim fjalën e fundit të drejtësisë. Media do ishte më profesionale nëse nuk do transmetonte pjesë të përzgjedhura të asaj ngjarje, pasi mediat e majta i transmetojnë publikut vetëm momentet e vrasjeve, ndërsa ato të djathta vetëm momentet e dhunës, gurëve dhe shkopinjve ndaj forcave të rendit dhe Gardës së Republikës, duke kornizuar kështu opinionin e gjerë publik sipas krahëve përkatëse.

Më 21 janar, shqiptarët humbën gjënë më të shtrenjtë gjatë këtyre njëzetë viteve. Shpresën. Atë ditë të ftohtë të fillimit të vitit, vajza ime sapo kishte ardhur në botë, dhe nga spitali i lindjes në Tiranë u dëgjuan thirrje dhe të shtëna dhe nga dritarja dukej një shtëllungë tymi. Teksa kanalet televizive transmetonin skena dhune dhe të vrarë nuk mund ta besoja se fëmija im kishte ardhur në një botë të re, por në një vend me mentalitet të vjetër. Atë ditë nuk fitoi askush, por humbëm të gjithë, ne, dhe, fatkeqësisht, fëmijët tanë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel