Gjirokastër, transporti urban rrit cmimin

01/02/2012 00:00

Më shumë se 500 banorë të lagjes Dunavat në Gjirokastër përdorin linjën e autobusit urban për të komunikuar me pjesë të tjera të qytetit.

Prej dy ditësh cmimi në këtë linjë mban vlerën 50 lekë nga 30 që ishte më parë. Rritja e cmimit sipas pronarëve të mjeteve është motivuar me rritjen e cmimit të karburantit dhe koston e lartë të amortizimit të mjeteve për shkak të distancës dhe terrenit.

Ndërkaq vetë banorët janë ankuar në bashki për të normalizuar cmimin pasi kostoja e re nuk mund të përballohet prej tyre.

Shefi i shërbimeve në bashki, Dasho Dejdo thotë se rritja e cmimit të biletës ka qenë në kundërshtim me ligjin dhe për këtë do të merren masa deri në heqje të licencës të këtij subjekti.
Bileta për shërbimin urban brenda qyteteve në bazë të ,ligjit duhet të mbajë vlerën 30 lekë deri në një distancë prej 9 km. Përtej kësaj distancë aplikohen tarifa të tjera.

Distanca më e largët që përshkojnë mjetet e transportit urban në qytet është pikërisht linja e Dunavatit me 4.2 km. Banorët njëherazi kanë kërkuar masa për përmirësimin e cilësisë së shërbimit që ofrojnë këto mjete, vendqëndrimet dhe respektimin e orareve.

Top Channel