Rama: Të ndihmojmë Preshevën

31/01/2012 00:00

Vizita në Preshevë, votimi pro heqjes së imunitetit të 3 deputëve
socialistë, hetimet e vrasjeve të 21 Janarit, ishin çështjet për të
cilat Edi Rama foli përpara grupit parlamentar të opozitës.

Pasi ka falenderuar preshevarët për pritjen vllazërore, Edi Rama është ndalur në mungesën e një materniteti dhe të shkollave në këtë zone të banuar nga shqiptarët, duke propozuar një nismë ligjore parlamentare.

“Nuk ka kohë për të humbur dhe menjëherë ne duhet të vijmë me një lëvizje, për të mundësuar një ndihmë të parë, krejt të mundshme, për bashkësinë shqiptare të Luginës së Preshevës. Të gjitha nënat e reja shqiptare të asaj zone, duhet të ikin larg nga aty për të lindur fëmijët e tyre. Edhe për shkollimin e fëmijëve nuk është ngritur ende asnjë shkolle e re në 20 vitet e fundit. Le ta formulojmë sa më parë një nismë ligjore parlamentare dhe t’i vëmë këto financime në dispozicion të administratës vendore atje”, tha Rama.

Edi Rama ka ngarkuar kryetarin e Komisionit Parlamentar të Integrimit Ditmir Bushati, në përgatitjen e një pakete propozimesh për një strategji të përbashkët, per shqiptaret në rajon.

Rama: Mbështesim Prokurorinë

Kreu opozitës rinkonfirmoi votimin pro heqjes së imunitetit të tre deputetëve socialistë pas kërkesës së Prokurorisë.

“Vënia e tyre me vullnet të lirë dhe të plotë në dispoziocion në Prokurorisë, në mbështetje të hetimit të 21 Janarit, menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë e nderon PS-në dhe këtë grup parlamentar. Ne e mbështesim pa asnjë lëkundje e kusht, hetimin dhe vetë prokuroren e Përgjithshme, e cila gjendet nën presion barbar të një pushtetit të gozhduar, përballë provave të zbardhura me ndihmën e FBI-së. Ina Rama për ne nuk është Silvia Konti, kur na intereson dhe ‘lavirja e bulevardit’, kur s’na intereson, por Prokurorja e Përgjithshme e Republikes. Mbështetja për punën e saj është në interes të vendit dhe shoqërisë. Për ne interesi i vendit dhe i shoqërisë është mbi cdo interes vetjak apo partiak”, theksoi Rama.

Deklarimet dhe qëndrimet e kryeministrit Berisha për 21 Janarin, Edi Rama i ka cilësuar si një minim të përpjekjeve të Shqipërisë, në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

“Kryeministri e ka shfaqur haptas qellimin e tij për të vënë nën kontroll plote Prokurorinë, drejtësinë dhe vetë SHISH-in përmes imponimit të një presidenti të nxjerrë nga barku i oborrit të vet. Madje ai ka kërcënuar se më pas do të hetojë edhe presidentin aktual edhe Prokuroren e Përgjithshme edhe vetë familjet e viktimave të 21 Janarit, pa llogaritur opozitën që do të përballet me një ‘gjueti shtrigash’ të ngjashme me kohën kur presidenti i Republikës quhej Sali Berisha”, tha Rama.

Kreu i PS-së ka rikujtuar dështimet për marrjen e statusit të vendit kandidat, duke shprehur shqetësimin se vlerësimi i tretë i progresit të Shqipërisë në progreset integruese do të mund ta gjejë Shqipërinë përballë këtij provimi europian, pa 21 Janarin të pandëshkuar përfshi korrupsionin e pandëshkuar, siç theksoi Rama, të ish-zëvëndësit të kryeministrit të vendit.

 

Top Channel