Vdekja e Scalfaro-s, Topi, mesazh ngushëllimi

30/01/2012 00:00

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi dërguar kreut
të shtetit italian, Giorgo Napolitano shprehu ngushëllimet për ndarjen
nga jeta të ish-presidentit të Republikës italiane, Oscar Luigi
Scalfaro.

“Në këto momente, ne ndajmë me ju jo vetëm dhimbjen e humbjes, por edhe vlerësimin tonë më të lartë për zotin Scalfaro, gjatë mandatit të tij si President, për përvojën e pasur e aktivitetin e tij të gjithanshëm politik, ndikimin historik që ai ka pasur në politikën italiane, si dhe për personalitetin e tij të veçantë në jetën shoqërore të Italisë. Duke dalë në pah me aftësitë e tij politike dhe morale si burrë shteti në momentet më të vështira në Itali, zoti Scalfaro ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në vendin e tij, por edhe në jetën politike evropiane. Ai ka qenë dhe një mik i madh i shqiptarëve”, thuhet në mesazhin e Topit.
 
Edhe kryeministri Berisha, nëpërmjet një mesazhi drejtuar kryeministrit italian Mario Monti, i ka shprehur ngushëllimet qeverisë italiane dhe familjes së ish-presidentit dhe senatorit Oscar Luigi Scalfaro për ndarjen e tij nga jeta.

“Me ndarjen nga jeta  të ish-presidentit dhe senatorit Oscar Luigi Scalfaro, familja,  kombi italian, Italia mike, humbën një burrë shteti të shquar që ju shërbeu me përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, shqiptarët humbën një mik të vërtetë’, thuhet në mesazhin e Berishës.

Oscar Luigi Scalfaro ish-presidenti italia u nda nga jeta të dielën në moshen 93-vjeçare.

Top Channel