Ulja e interesit bazë, presion te kursi i këmbimit

30/01/2012 08:00

Leku pësoi një rënie të lehtë të vlerës gjatë javës së kaluar, një lëvizje që për disa ekspertë të bankave mund të jetë shkaktuar pjesërisht nga vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur interesin bazë.

Gazeta ‘Shqip’ publikon se kursi i euros lëvizi nga kuota 138 lekë në fillim të javës, në 138.93 lekë të premten, me rënie prej 0.6 për qind. Ky është kursi mesatar fiks i publikuar nga Banka e Shqipërisë dhe shpreh mesataren mes kuotave të shitjeve dhe blerjeve të reklamuara nga bankat dhe agjencitë e këmbimit valutor në Tiranë. Banka e Shqipërisë e uli interesin bazë të lekut me 0.25 për qind, nga 4.75 në 4.5 për qind në një vendim që u mor të mërkurën, kur euro këmbehej për 138.42 lekë. Dy ditë më vonë euro u këmbye për 138.93 lekë.

Ky nënçmim nuk është i jashtëzakonshëm, por fakti është që tashmë prej disa javësh leku është kuotuar diçka më poshtë dhe diçka më sipër se sa kuota 138 dhe të dhënat e bankave të nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë në treg në këtë kuotë për të vendosur një çmim dysheme. Vetë Banka e Shqipërisë nuk i komenton dhe as i publikon ndërhyrjet e saj në tregun valutor pasi e ka të ndaluar me një rregullore të dhjetë viteve më parë.

Ekspertët e këmbimit valutor nga bankat e nivelit të dytë, sugjerojnë që tendenca nënçmuese gjatë ditëve të fundit i dedikohet pikërisht uljes së interesit bazë nga BSH.
Qarqet e biznesit dhe ekspertët pranë qeverisë e mirëpritën vendimin e BSH për uljen e interesit dhe sugjeruan uljen e mëtejshme. Teorikisht, ulja e interesit bazë të lekut sjell më shumë likuiditet në treg dhe rrjedhimisht, edhe rënie të vlerës së kësaj monedhe, por në praktikë, ka shumë faktorë të tjerë që mund të ndikojnë.

Ekspertët e këmbimit valutor tregojnë se gjatë janarit, kërkesa për euro ka qenë e pakonsiderueshme nga bizneset, ndërkohë që qeveria ka shtuar blerjet për të paguar faturat e importit të energjisë elektrike. Tendenca e përgjithshme është që gjatë tremujorit të parë të vitit, importet për ushqime dhe energji rriten, gjë që sjell edhe presion mbi lekun. Por kriza e konsumit me të cilën po përballen bizneset aktualisht mund të sjellë deformime në këtë cikël vjetor.

Top Channel