Tiranë, grabitet në mes të ditës banka

30/01/2012 00:00

Filiali i një banke është grabitur mesditën e së hënës në Tiranë nga dy persona të maskuar dhe të armatosur. Ngjarja ndodhi në rrugën e Dibrës, pranë vendit të quajtur Selvia.

Sipas dëshmitarëve, grabitësit kanë shfrytëzuar përfundimin e orarit zyrtar dhe nën kërcënimin e pistoletës kanë hyrë në filialin e bankës ku kanë marrë 2 milionë lekë të vjetra.

Nga kjo situatë është shkaktuar panik tek punonjësit e bankës dhe kalimtarët e rastit. Dy grabitësit janë larguar nga një rrugë dytësore me një motor dhe deri më tani nuk janë ndaluar nga policia.

Kjo e fundit mbërriti në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e tyre përmes dëshmitarëve, por edhe përmes pamjeve të kamerave të sigurisë.

Grabitjet e armatosura janë prej kohësh një fenomen shqetësues në vend. Rreth 10 ditë më parë një pikë karburanti u vodh në këtë mënyrë në aksin rrugor Kavajë-Rrogozhinë.

Pikërisht në Kavajë, në Luz të Madh, më herët gjatë muajit banorët shprehën shqetësimin e tyre për grupe të armatosura që lëviznin gjatë natës duke kryer grabitje.

Top Channel