Milo: PS mbështet kerkesat e partive te vogla

30/01/2012 00:00

Në takimin e përjavshëm të aleatëve të PS është diskutuar për reformën zgjedhore.

Ecuria e deritanishme e tryezës, ku po diskutohet reforma ishte në fokusin e bashkëbisedimit mes të kreut të opozitës Edi Rama, deputetit Damian Gjiknuri, bashkekryetar i Komisionit per Reformen Zgjedhore dhe aleatëve, të cilët tashmë kanë një qëndrim të unifikuar për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Në një komunikim me median, kryetari Partisë Socialdemokrate, Paskal Milo ka treguar detaje nga takimi i sotëm.

“Kemi marrë edhe njëherë tjetër garancinë e Partisë Socialiste, që do të vazhdojë të qëndrojë fort, të diskutojë dhe të mbështesë kërkesën e partive opozitare, të cilat kërkojnë vendosjen e elementit të korrektimit kombëtar në sistemin aktual proporcional rajonal, në kundërshtim edhe me ndonjë interpretim që mund të jetë bërë, sikur në radhët e partive opozitare ka mosmarrëveshje lidhur me këtë çështje. Ne do të vijojmë të diskutojmë në një tryezë të rregullt të partive tona, me qëllim që çdo gjë që do të flitet atje nga përfaqësuesi i PS-së do të jetë edhe përfaqësues i interesave i gjithë partive opozitare”, tha Milo.

Gjithashtu Paskal Milo ka ftuar edhe partitë e vogla pjesë e koalicionit të djathtë, për t’u bërë aktive, pasi sipas tij ato ndodhen në një përgjumje të plotë në këtë proces.

Top Channel