Ina Rama përballë mazhorancës

30/01/2012 00:00

Artan Mullaj – Në një film hollivudian të transmetuar së fundmi në “Top Channel”, me
tematikë aksion-pengmarrje, një agjent i FBI-së, i ngarkuar të drejtonte
aksionin për çlirimin e pengjeve në një bankë, kërkoi një përkthyes
shqiptar nga konsullata jonë në Uashington, meqë pengmarrësit e përgjuar
flisnin shqip.

Gatishmëria e konsullatës ishte sa mbresëlënëse, aq zhgënjyese njëherësh: “Ata të konsullatës shqiptare ishin të ngatërruar, por më duket se ata duan para”, raportoi agjenti gjithë mllef.

Sigurisht, kishte një dozë ironie kjo frazë. Them ironi, për të mos thënë përçmim për diplomacinë shqiptare në Amerikë. Por tej kësaj, për një qytetar të botës që sheh një film të Hollywood-it, perceptimi i mundshëm është rrënues: “Këta shqiptarët, egoistë e fodullë në zyrat e shtetit të tyre, duan para, duan shumë para, duan me çdo kusht para, çfarëdo që të jenë, ju takojnë ose jo. Ëndërrimtarë të pamposhtur thesaresh e pronash, duan t’i kenë, t’i rrëmbejnë, t’i shijojnë, t’i trashëgojnë në të gjitha trajtat dhe format e mundshme ku pushteti i luksit depozitohet…”.

Dëshira për të pasur dhe fituar shumë, është një fuqi që nuk mund ta shpjegojë gjë tjetër veç instinktit njerëzor të babëzisë dhe si e tillë, s’duhet paragjykuar. Kush më shumë dhe kush më pak ka në nënqenie një koeficient gjallërie në përvetësimin e gjërave materiale dhe parave, që është i instaluar dhe i natyrshëm. Prandaj qëllimi i ekspozimit të shqiptarëve si një racë ekstreme paradashëse në filmin që transmetoi “Top Channel”, mbase ishte tjetër gjë. Me elegancë, duke përmendur një institucion shqiptar, filmi amerikan s’bëri gjë tjetër, veçse publikoi korrupsionin spektakolar që sundon shtetin shqiptar, si një fenomen që njihet botërisht.

Dihet botërisht që korrupsioni në Shqipëri ka ngjitur, si dhi e egër, disa shkallë njëherësh drejt konsolidimit të tij. Finalja ndodhi gjatë 21 janarit, ku pas protestave antikorrupsion, shteti shqiptar urdhëroi dhe vrau në shesh katër qytetarë të pafajshëm. I hidhur detaji në film, gati poshtërues, por nuk është se të le gojëhapur, ashtu si nuk të dalin sytë përjashta, nëse sheh xhaketën e grisur të një njeriu të varfër që sheh vitrinat nga trotuari. Sepse, korrupsioni në Shqipëri është një rutinë, për të mos thënë një veçori shqiptare në opinionin botëror, ashtu si veçori kombëtare është varfëria në Afrikë, tërmetet në Japoni apo homoseksualiteti në Brazil.

* * *

Por ndërkaq, duke supozuar korrupsionin si një veçori tipike, nuk mund të shpërfillësh në mënyrë tipike 21 janarin dhe sidomos hetimet rreth tij. Ndryshe nga hetimet për tragjedinë e Gërdecit, ku gjithashtu u vranë qytetarë të pafajshëm, ngjarjet e 21 janarit, pasojë e korrupsionit famoz që përmendëm më sipër, sollën një koshiencë të re publike në perceptimin që shoqëria shqiptare ka për drejtësinë. Nuk kishte ndodhur më parë një duel kaq i qartë midis qeverisë dhe organit të akuzës, midis pushtetit dhe drejtësisë si këtë herë. Dhe është pikërisht kjo betejë e heshtur, por e dobishme, falë autoritetit të përballjes me realitetin e gjërave, ajo që shpjegon se përse sot, kryeprokurorja Ina Rama gjendet në qendër të vëmendjes.

E krahasoi me Silvia Kontin, për të krijuar kulturën metaforike të simboleve në të thënat publike dhe e quajti në fund “lavire bulevardi”, për të njëjtën arsye. Ndërsa fraza “lavire bulevardi” mbeti një metaforë e zezë, por edhe një simbol i fjalorit të shëmtuar të kryeministrit shqiptar, që nuk befason më askënd me vulgaritetin primitiv ndaj kundërshtarëve, sot Ina Rama është më shumë se kurrë “Silvia Konti” që përmendi Berisha, apo Shote Galica, si e përshkruan dikush. Pikërisht në një emision qeveritar siç është “Opinioni” i Fevziut, pa ju shmangur kurtheve të moderatorit, Ina Rama tregoi pikërisht këtë gjë, që ajo është një misionare e vetmuar e një drejtësie të kërcënuar nga pushteti. Qartësia, personaliteti dhe përballja e guximshme me akuzat e mazhorancës ndaj saj dhe me fatalitetin e ngjarjeve tragjike që kulmuan me 21 janarin, ishin armët e saj në debat. Nëse duhet thënë me dy fjalë, zonja Rama u përball e vetme me dinamikën e hekurt të regjimit që sundon sot Shqipërinë. Që kjo grua e virtytshme sfidoi hapur pushtetin, thjesht duke thënë me guxim të vërtetën, nuk është e vështirë të kuptohet. Që kryeprokurorja ka kontrolluar debatin për të fituar përshtypjet, kjo është e pranuar tashmë, ndërsa, për një logjikë frymëzuese, kjo femër, me një personalitet të spikatur, ku feminiliteti përzihet me fisnikërinë, ka dalë mbi turbullirën e ngjarjeve, për t’i ndriçuar ato. Përballë Blendi Fevziut, si të qe përballë vetë pushtetit, kryeprokurorja rizgjoi shpresën se në Shqipëri ka ende hapësirë dhe mundësi për moralitet dhe autoritet të shëndetshëm.

* * *

Jo si një personazh i filmit hollivudian, por si një faktor në skenën shqiptare të ndodhive, duket se edhe ambasadori Arvizu, në njëfarë mënyre dhe jo rastësisht, ka zgjedhur Prokuroren e Përgjithshme, apo mbështetjen ndaj saj, për të dhënë edhe ai një mesazh pakënaqësie ndaj mazhorancës. Në mënyrë të tërthortë, sigurisht. Punët degjeneruan ndryshe dhe sot, vështirë ambasadori i nderuar ta çojë në mend të përmendë përsëri fjalën “burrë shteti” për Berishën. Pas fakteve të frikshme që janë ndriçuar së fundmi edhe me ndihmën e FBI-së, lidhur me provat dhe manipulimet e tyre, është i kuptueshëm një lloj hutimi diplomatik i të huajve. Sot, dashamirësia e dikurshme për pushtetin e Tiranës, rrezikon të jetë diçka si një mazë e shpenzuar gabim. Fakti se diplomacia e huaj në Shqipëri prezantohet së fundmi më e rafinuar se asnjëherë, tregon se mes dilemave tradicionale të tyre ka nisur një vëmendje e re, ndonëse me një kosto tragjike. Duket se 21 janari, ndërsa e vërteta po zbardhet, ditë pas dite dhe fakt pas fakti, është duke sjellë për ta, përmes dramës, një lehtësi të re të të kuptuarit të gjërave.

Edhe pse e shndërruar në tabelë qitje të mazhorancës, që këmbëngul me idiotësi rrokullimën drejt gropës që hapi vetë, gruaja më e sulmuar, më e fyer, më e poshtëruar prej kryeministrit dhe mazhorancës, “lavirja e bulevardeve, puçistja, tradhtarja, adoleshentja, lozonjarja”, është në të njëjtën kohë edhe gruaja më e mbështetur në vend nga ambasadorët e huaj në Tiranë, por edhe nga opinioni publik. Kjo gjë nuk ndodh rastësisht. Arsyeja e kësaj mbështetje nuk është personi Ina Rama, as finesa e saj e natyrshme në daljet publike, as feminiliteti i brishtë që ajo rrezaton pafajësisht. Përkundrazi! Arsyeja e kësaj përkrahje masive është autoriteti i shëndetshëm i institucionit të akuzës që ajo përfaqëson.

Te ky autoritet zë fill shpresa për drejtësi e njerëzve opozitarë. Mjafton t’i hedhësh një sy komenteve “online” në blogjet shqiptare lidhur me intervistën e saj, për të krijuar përshtypjen se me këtë sfidë, kryeprokurorja, e përshkruar me epitete hyjnore dhe epike, ka provokuar një frymëzim kolektiv anembanë vendit dhe më gjerë.

Si çdo frymëzim kolektiv, edhe ky lidhet me nevojën publike për ndershmëri dhe protestë të shëndetshme ndaj sundimit. Kjo nevojë e ngutshme shpjegon se përse në komentet “online” ka një mbivlerësim të merituar për Ina Ramën. Ngutja e përgjithshme në mbështetjen shpirtërore ndaj kryeprokurores, shpjegon gjithashtu se sa shumë, ndotja e moralit të politikës shqiptare dhe mungesa e drejtësisë ka sjellë një boshllëk psikologjik në jetën e njerëzve të thjeshtë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel