Berisha: Liria ekonomike, çelësi i suksesit

30/01/2012 00:00

Kryeministri Berisha vlerësoi lirinë ekonomike dhe luftën kundër
korrupsionit si çelësin e suksesit në modelin ekonomik të Shqipërisë.

Duke folur ne mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryeministri iu referua te dhenave te fundit të censusit, sipas te cilit, gjysma e biznesve ekzistuese janë hapur nga viti 2005 deri në 2011.

“Censusi i fundit fakton se në vitet 2005-2009, pra në një hark kohor 4 vjeçar, morën jetë, gjalluan, biznese sa në në 15 vite të marra së bashku.Është ky model dhe ky zhvillim që shpjegon se si ka mundësi që, në këtë qeverisje, nga viti 2006 deri në 2011, janë mbledhur në arkën e publikut, taksa, tatime, 7.2 miliardë dollarë më shumë se sa në vitin kulmor të socializmit të dytë shqiptar. Pra, janë mbledhur faktikisht mbi 3 buxhete më shumë të vitit 2004. Ky model i transparencës, i klimës miqësore të biznesit, bëri të mundur që Shqipëria, nga 2006 deri në 2011, të trefishojë eksportet”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, berisha ndër të tjera tha: “Tani së fundi kanë problemin e taksave. Duan edhe njëherë t’i rikthehen modelit marksist, model i cili është edhe një nga faktorët e krizës së sotme. E vërteta është që modeli ynë bëri që punonjësi i cili merrte 220 mijë lekë  të vjetra në vitin 2005, të marrë rreth 500 mijë në vitin 2010. Është e vërtetë që në vitin 2005, pas heqjes së taksës, atij i mbeteshin 213 mijë lekë të vjetra dhe në vitin 2010 pas heqjes së taksës, i mbeten 450 mijë lekë të vjetra. Por le të pyeten këta punonjës nëse do preferonin 220 mijë minus  7 mijë, apo 500 mijë minus 40 mijë”.

Shefi i qeverisë theksoi se 50 për qind të bizneseve aktive të këtij vendi janë të 4-vjeçarit të mandatit të parë qeverisës së mazhorancës aktuale, dhe se është dëshmia më e shkëlqyer e suksesit të këtij modeli ekonomik.

Top Channel