Regresi në lirinë e medias

29/01/2012 15:00

Në raportin e Reporterëve pa Kufij mbi lirinë e shtypit për vitin 2011, Shqipëria kishte një ulje në klasifikim prej 16 vendesh.

Shefi i marredhënieve me Institucionet Europiane pranë kesaj organizate, Olivier Basille, analizoi për Dojçe Velen arsyet që kanë çuar sipas tij në një regres të tillë, duke cituar problemet e shumta, që nga pasojat e krizës politike të cilat prekin edhe median e deri tek krimi i organizuar. Por, deklarata më e fortë e Basille në të gjithë prononcimin e tij, është se me gjendjen aktuale të lirisë së shtypit në Shqipëri, anëtarësimi në Bashkimin Europian është i pamundur.

“Media e lirë ka rëndësi të madhe për BE-në”, argumenton ai.

“Kur vjen fjala për Shqipërinë, nuk mund të flasim për shtyp të lirë. Numri i gazetarëve të paditur është shtuar ndjeshëm. Politikanët janë bërë shumë të zgjuar. Ata thonë se nuk ka censurë politike në Shqipëri dhe kjo është pjesërisht e vërtetë, sepse censurën e kanë bërë të ligjshme. Politika thotë se nuk ka burg për gazetarët, por gjykatat vendosin gjoba të larta, të pamundura për tu paguar. Duke qenë se gazetarët në Shqipëri janë të pambrojtur, ata e rrisin nivelin e autocensurës dhe nuk investigojnë, sepse e dinë që do të paditen dhe do të humbasin përpara drejtësisë. Kështu që për shumë çështje nuk shkruajnë, nuk hetojnë dhe mjaft informacione mbeten në errësirë,” thotë Basille në intervistë.

Në këndvështrimin e tij, censura është bërë e ligjshme në Shqipëri, sepse në të shumtën e rasteve gazetarët kanë humbur gjyqet dhe ky është një mesazh i qartë se nëse ti shkruan për një gjë, do të paditesh dhe do të humbasësh para drejtësisë.

“Sistemi i drejtësisë është gjithnjë e më shumë i komplikuar dhe kundër lirisë së informacionit”, thotë Basille.

Që prej vitit 1985, kur Reporterët pa Kufij u themelua, në raportet e saj theksohet gjithmonë ndikimi i skajshëm i qeverisë shqiptare tek media publike, por situata nuk është më e mirë sipas organizatës as në sektorin privat ku mjaft gazetarë punojnë pa kontrata dhe nuk janë të mbrojtur.

Top Channel