Spahiu: Berisha aleancë me Athinën

28/01/2012 00:00

Aleanca Kuq e Zi lajmëroi këtë të shtunë nisjen e fushatës në cdo lagje
të Tiranës dhe qytet të Shqipërisë, për të njohur qytetarët me programin
e Aleancës Kuq e Zi.

Gjatë një aktiviteti të Aleancës Rinore zoti Kreshnik Spahiu tha se në cdo familje shqiptare do të ketë një kontratë kuq e Zi. Spahiu bëri sërish thirrje për rinovim të klasës politike shqiptare.

“Së bashku sot nisim një rrugëtim, jo më shumë se dy-tre javë dhe ne do të jemi më pranë njëri-tjetrit, jo më shumë se dy-tre javë dhe do të na bëjnë që ne dhe unë pranë jush, të jem 24 orë në 24 në një mision historik që ne të jemi në çdo derë, rrugicë, lagje, pallat, në çdo familje shqiptare, ku të ftojmë të gjithë shqiptarët të nënshkruajnë një kontratë, kontratën kuq e zi. Ju nuk mund të mposhteni, nuk mundet t’ju sfidojnë krokodilët e politikës shqiptare sepse kuqezinjtë nuk i kanë mposhtur as perandorët, as carët, as krajlët, as verio-epiriotët, të cilët kërkojnë të poshtërojnë ndjenjat e shqiptarëve”, tha Spahiu.

Gjatë fjalës së tij përpara qindra të rinjve, Spahiu akuzoi qeverinë shqiptare për marrëveshje të fshehtë me Athinën, në dëm të sovranitetit të Shqipërisë. Sipas zotit Spahiu, Berisha bashkoi votat me Dulen dhe Athinën për kufirin detar, Censusin dhe së fundmi për shkarkimin e tij nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

“Përsëri 73 vota, për të mundësuar një aksion të ri për të poshtruar integritetin, për të poshtruar institucionet, 73 vota, bashkë me Dulen e Athinës. Por 73 vota te numëruara nuk mundet të cënojnë dhe kushtëzojnë sovranitetin e Shqipërisë. 73 vota të numëruara, së bashku me Dulen e Athinës, nuk mund të cënojnë integritetin territorial të Shqipërisë, 73 vota së bashku me Dulen e Athinës nuk mundet të poshtërojnë dinjitetin tonë njerëzor”, tha Spahiu.

Top Channel