Sfidat e globalizmit dhe demokracia morale

28/01/2012 00:00

Servet Pëllumbi – Bota në tërësi ka hyrë në etapën e një transformimi kolosal ekonomik dhe
social politik. Epoka e globalizmit i ka dhënë dimensione të reja edhe
demokracisë, sidomos sfidave që e presin atë në të ardhmen.

Para kësaj dukej se nuk kishte ndonjë rëndësi përcaktuese në raportet ndërkombëtare nëse “X” vend është demokraci apo “Y” vend është autokraci. Kurse këtej e tutje rendi ndërkombëtar dhe përballimi i krizave globale, si kjo që po përjeton bota prej vitit 2008, nuk mund të përballohen jashtë një “kuptimi të ripërtërirë të një realiteti të qëndrueshëm”. (Robert Kogan, Washington Post, Speciale 2012),
Krisje të kapitalizmit për shkak të legjitimitetit

Madje sot mund të pohohet me plot gojën se për shkak të shkujdesjes ndaj çështjeve të “bashkëjetesës demokratike”, të zhgënjimit nga kapitalizmi i tregut, rritjes jonormale të papunësisë dhe krizës globale janë “ngritur dyshime mbi efektivitetin e kapitalizmit si një promotor i punësimit dhe rritjes së standardeve të jetesës për shtresën masive të mesme” (Lawrence Summers, “Kapitalizmi duhet zhvilluar më tej dhe jo shkatërruar”, Financial Times, 10 janar 2012). Ndjenja e protestës ka marrë dimensione të reja dhe një drejtim të përcaktuar: nuk mund të lejohen më tej polarizimi dhe pabarazia pasurore; “Shoqëria e konsumit, thotë nobelisti indian Kapur, e zhveshi njeriun nga fryma shpirtërore dhe e futi në rrugën e degradimit”. Bota duhet të ecë sipas një modeli të ri zhvillimi, ndryshe ajo do të shkojë detyrimisht drejt “përplasjes së qytetërimeve”. Duket, se alternativë tjetër nuk mund të gjendet.

Pra, kemi të bëjmë me një zhvillim që mbështetet mbi shfrytëzimin e pamëshirshëm dhe krijon “krisje të natyrshme të kapitalizmit”, krisje të legjitimitetit dhe të mundësive të reformimit të tij, përfshi edhe të sloganeve të tregut të lirë, të lirisë së individit e të shoqërisë, sepse po goditen themelet, po rrezikohet seriozisht klasa apo shtresa e mesme, që është masive në vendet industriale dhe që përbën bazën sociale të demokracisë perëndimore. Në “botën e zhvilluar”, për thellimin e këtyre “krisjeve”, përveç “pabarazisë së theksuar të të ardhurave” dhe “disbalancimeve kronike fiskale”, pritet që të ndikojnë, gjithnjë e më shumë, edhe prirjet për pakësimin e rritjes së sektorit publik, tkurrja e programeve të mbrojtjes sociale duke shënuar një kthim të dukshëm prapa. Shqetësimi është bërë gjithëpërfshirës. A.Merkel, në një intervistë për gazetat kryesore të disa vendeve europiane gjatë qëndrimit këto ditë në Forumin e Davosit, bëri thirrje: “Ne na duhet të varrosim stereotipat e vjetra”! Themeluesi i Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Davosit, ekonomisti i njohur gjerman Klaus Shvab po në Davos, në mënyrë të prerë e pa ekuivokë, deklaroi, se “modelet e vjetra të zhvillimit dhe drejtimit të ekonomisë nuk punojnë më”. Po këtë gjë e shprehu edhe në mënyrë figurative duke thënë: “Në 42 vjetët e fundit asnjëherë nuk kam parë kaq shumë dëborë në Davos”! Dhe kjo, vetëm e vetëm sepse modeli i shoqërisë u transformua nga mënyrë prodhimi në mënyrë spekulimesh financiare. Rezultati, sipas Raportit të Forumit Ekonomik të Davosit me temë: “Transformimi i madh, krijimi i modeleve të reja”, mund të jetë: “Një pakënaqësi shoqërore që rritet vazhdimisht” dhe “një e ardhme e gozhduar për shumicën e njerëzimit” (Janar 2012). Për më tepër, që për një “diagnozë të tillë” ilaç universal e çudibërës nuk ka! Megjithatë, nga Forumi i Davosit për 2012-n vjen paralajmërimi: Kujdes për problemet sociale të globalizimit!

Kjo përbën sfidën më të madhe me të cilën duhet të përballen demokracitë e vendeve industriale, që përbëjnë “valën e parë dhe të dytë” të demokracisë botërore. Zgjidhjet strategjike, sipas parashikimeve, duhen kërkuar, jo aq në rrafshin ekonomik, sesa te reformimi dhe zhvillimi i sistemit, duke zgjedhur “një rrugë politike që del nga logjika ekonomike dhe mbështetet në vlerat demokratike (Geert Mak, ‘Duhet të rifitojmë Europën’, “Gazeta 55”, 2012, 01, 11). Në një botë të përfshirë nga kriza ekonomike globale dhe kur duket se njerëzimit i duhet të përballet “me më shumë katastrofa” (Bernice Lee, drejtor i kërkimeve në “Chatham House”, Britani), të kërkosh zgjidhjen te demokracia, apo në përmasën etike të ekzistencës, duket si diçka paradoksale, apo thjesht si një dëshirë për t’u larguar nga problemi themelor i epokës. Megjithatë, mund të sillen plot argumente për ta pranuar këtë si një alternativë të mundshme dhe racionale.

Në të vërtetë nuk ka asgjë paradoksale që të vësh në fokusin e strategjisë globale “riplanifikimin e rrugës drejt së ardhmes”, të ringjallësh traditat e humanizmit dhe të vesh në qendër njeriun dhe botën e tij, realizimin tërësor të tij si qenie e lirë, e arsyeshme dhe e përgjegjshme. Në këtë vështrim nuk mund të ketë zgjidhje jashtë dialogut demokratik me aktorët e proceseve në zhvillim. Kjo më shtyn të mendoj, se jemi duke jetuar në një cak të tillë historik, kur në botë janë pjekur kushtet për një “valë të katërt” të demokracisë, që gjithashtu do të përfshinte më parë vendet më të zhvilluara, ndërkohë që pjesa tjetër e botës, bota në zhvillim është duke “notuar” në “valën e tretë” të saj. Në librin “Globalistika-refleksione filozofike për një epokë”, botuar tre vjet më parë, kam parashikuar se përballimi i krizave globale dhe ndërtimi i së ardhmes së “Familjes njerëzore”, domosdoshmërish do ta shndërrojë garën midis tradicionalizmit dhe globalizmit në një lëvizje historike botërore njerëzish të lirë e vullnetmirë, sipas motos: “Të ndryshëm, por bashkë” (f.172). Por, kuptohet, si çdo teori edhe vizioni mbi sfidat e globalizmit dhe “transformimet e mëdha” që priten, duhet të verifikohen nga praktika dhe nga zhvillimet e ardhshme botërore. Gjithsesi, mbetet kërkesë konstante që njerëzit, edhe pse mund t’i drejtojnë keq punët e botës në të cilën jetojnë, mund dhe duhet të hedhin vështrimin dhe të përfshihen në proceset e reja, të aftësohen dhe të marrin përgjegjësi mbi vete për zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshen sot, pa ua “faturuar” të tjerëve, sepse nga kjo varet e ardhmja e tyre dhe e brezave që do të vijnë.
Veçori të “valës së katërt” të demokracisë

Po e nis me supozimin, se “vala e katërt” e demokracisë do të mund të shkëputej përfundimisht nga trajta e demokracisë liberale, e modifikuar gjatë valës së dytë dhe të tretë prej demokracisë sociale, për të sintetizuar në vetvete arritjet dhe vlerat historike të tri valëve të deritanishme, në një trajtë të re, të cilën në librin e cituar më lart (Globalistika v. 2008), e kam emërtuar “demokraci morale”. Thelbi i saj është “zëri i moralit”, që njerëzit t’i binden, jo një autoriteti çfarëdo, të zgjedhur apo të emëruar, por vetvetes, njëri-tjetrit dhe një vetëqeverisjeje racionale. Kjo hap rrugën për ndryshime thelbësore në rregulla e parime të sjelljes, sidomos për një filozofi të pikëpamjeve të njëjta, për kompromis moral dhe pranim të tjetrit njëlloj si veten e vet, për përmbysje deri dhe në terminologjinë e sotme luftarake, që përmbajnë trajtat e demokracisë liberale dhe social-liberale.

Komponentë të rëndësishëm të “demokracisë morale”, sipas mendimit tim, mund të ishin: 1. Vetëdija e njerëzve të lirë mbi pranimin universal dhe të ndërsjellë të njëri-tjetrit si anëtarë të një “Familjeje njerëzore”; 2. Kuptimi i vetëqeverisjes së popujve, e kuptuar si bashkësi morale e “Familjes njerëzore” (term i Kartës së OKB-së për të drejtat e njeriut); 3. Pranimin e “zërit të moralit” dhe të Kodit Etik si përmbajtje dhe forcë lëvizëse të “demokracisë morale”. Koncepti “demokraci morale” me një përmbajtje të tillë, sot për sot, mund të duket utopik dhe pa ndonjë vlerë praktike e instrumentale, por analiza e kujdesshme e realiteteve të sotme na bind, se dimensioni etik, që në thelb është dimensioni njeri, ka ardhur koha që të rishqyrtohet me kujdes.

Tek e fundit, një kërkesë e tillë buron, së pari, nga arsyeja e thjeshtë, se mendimi shkencor i sotëm ka arritur në përfundimin se këtu gjendet çelësi i së ardhmes së përbashkët të njerëzimit, i cili siç paralajmëronte Klod Levi Straus që në mesin e shekullit të kaluar, “ose do të bashkohet, ose nuk do të jetë më”; së dyti, se vizioni mbi “fundin e demokracisë”, i ofruar nga Frensis Fukujama dhe i përqafuar nga Perëndimi për të reklamuar fitoren e “plotë dhe përfundimtare” të kapitalizmit mbi çdo sistem tjetër, rezulton të jetë një variant ideologjik për konsum të përkohshëm. Demokracia nuk mund të konceptohet e ngurtësuar në një trajtë statike, sado e përkryer që ajo të përfytyrohet, sepse në thelbin e vet ajo është një lëvizje historiko-botërore; dhe, së treti, veçimi për të bërë secili të vetën, apo për të krijuar “klane” për interesa proteksioniste, në raport me problemet globale nuk funksionon e nuk mund të funksionojë në “shoqërinë e informacionit” që po troket në derë, prandaj kërkohen doemos që tani, kërkime, vendime e zgjidhje të përbashkëta. Nëse duam një botë tjetër, mbase duhet të biem dakord edhe me idenë e M.Gorbaçovit, i cili i mësuar me konceptin e kolegjialitetit, deklaron prerë: “Jam për një lidership kolektiv”. (M.Gorbaçov, “Zgjodha “Glasnost” për të rrëzuar komunizmin”, Panorama, 2011, 12, 06).

Gjithsesi, shekulli XXI detyrimisht ndahet nga skemat e ngurta të tilla si “fundi i historisë” së F.Fukujamës, që i vënë kufi zhvillimit dhe inovacioneve, që si në shumë fusha të tjera, kërkohen me prioritet edhe në atë të organizimit demokratik të shoqërisë së epokës së globalizmit. Kështu, mund të supozohet, se shoqëria e së ardhmes, që ka marrë tashmë emrin “Shoqëri e informacionit”, nuk mund të përfytyrohet sipas modelit të shoqërisë së sotme, e centralizuar dhe e komanduar nga një qendër e nga disa që zgjidhen prej disa të tjerëve, që emërtohen e mbeten votues pa pjesëmarrje të mëtejshme në procesin e drejtimit. Botës së të ardhmes mund t’i shkojë më tepër përfytyrimi si një larmi “mikropushtetesh” të lidhur e të bashkërenduar midis tyre, që kurrsesi nuk përjashtojnë qytetarët nga vendimmarrja, sepse edhe sot, aq më tepër në një botë globale, pa qytetarët, pa një shoqëri civile të zhvilluar e të ndërlidhur, nuk mund të ketë asnjë lloj demokracie globale të mirëfilltë. Dhe, demokracia në çdo formë të saj, vetëm bashkon me frymën, parimet dhe vlerat e saj. Këtë e kanë kuptuar mirë nismëtarët e lëvizjes: “Open government Partnership”, e bërë publike në sesionin e OKB-së, shtator 2011.

Një vizion i tillë çon në mënyrë të natyrshme në supozimin tjetër, sipas të cilit në themelet e shoqërisë së ardhshme, ekonomikisht e zhvilluar dhe e aftë për të siguruar standarde të larta jetese për të gjithë, nuk ka për të qenë pasuria, kapitali, toka, puna apo maksimizimi i fitimeve, por truri, dijet, informacioni dhe “garantimi i përfitimeve sa më të mëdha për gjithë njerëzimin” (Nobelisti Jonus Muhamed-2008). Ndërkohë, vlera të tilla si liria, solidariteti, “zëri i moralit”, parimet dhe vlerat morale, të shtrira në të gjitha vendet dhe lëmenjtë e jetës, do të vihen në rolin e një “Kushtetute morale”. Gjithsesi, veçoria e logjikës së demokracisë është dhe mbetet e tillë që nuk pranon asnjëherë që ajo të konsiderohet “si një ritual i thjeshtë dhe i pastër” (V.Havel). Tek e fundit, edhe demokracia morale, qoftë dhe në formën e saj, që sot për sot anon më tepër nga “dëshirat e mira”, nuk mund të formësohet jashtë një rruge të gjatë zhvillimi që si komponent të përhershëm ka pjesëmarrjen aktive të njerëzve në qeverisje dhe politikëbërje. Madje, mund të supozohet, se për realizimin e një “përmbysjeje” të tillë demokratike do të duheshin disa “valë demokracie” dhe një zinxhir revolucionesh demokratike, apo një revolucion demokratik permanent global, me larmi formash sipas kushteve konkrete të vendit dhe të kohës, me tipare të njohura e të panjohura të revolucioneve që çuan në valën e tretë të demokracisë në fund të shekullit XX, të tillë si revolucioni i “kadifenjtë”, “portokalli”, apo dhe me rrëzim muresh e tallazesh të autoritarizmit etj.

Thënë ndryshe, edhe demokracia morale i ka rrënjët tek e sotmja, te lufta e të kundërtave, te përplasja e “valëve”, e hapësirave për veprimin moral të individit, tek ajo që mendojmë, eksperimentojmë dhe bëjmë sot për të kuptuar përmasat e globalizimit dhe përmbysjet konceptuale, të strukturave sociale të ngurtësuara dhe të sistemit të vlerave, të krijuara në tri valët historike të demokracisë. Detyrimisht në një proces të tillë përfshihen jo vetëm vendet e zhvilluara, por të gjitha vendet, pra edhe ata që ëndërronin për “komunizmin” për të qenë të lirë dhe “vranë njëri-tjetrin”, që sot “përpëliten” në “valën e tretë” të demokracisë, ku bën pjesë dhe Shqipëria; edhe ata që u përfshinë në “Pranverën arabe” gjatë vitit 2011; edhe ata që vazhdojnë të bëjnë “sehir” duke u ngrohur në “zjarrin” e të tjerëve! Gjithçka, dhe për këdo, rruga për te demokracia globale është e hapur.

Në një situatë të tillë kërkimi dhe ndërgjegjësimi, hapi i parë dhe më i thjeshti mund të ishte një rilexim i vëmendshëm i veprës së E.Kantit “Kritika e arsyes praktike”, në të cilën gjenden rrënjët më të thella ideore të “demokracisë morale” dhe të një bote në paqe të përhershme. Më tej, mbi bazën e një shoshitjeje të kujdesshme të përvojave dhe të “valëve”, apo praktikave demokratike të së kaluarës, mund të krijohet bindja se ndodhemi në një cak kthese historiko-botërore të zhvillimit të shoqërisë njerëzore, e rrokur në prerjen e saj globale. Në këtë rrafsh, barra e “Familjes njerëzore” për të siguruar ekzistencën njerëzore në planetin Tokë, do të dalë që nuk është e lehtë, prandaj dhe ka nevojë për kontributin e të gjithëve.

Edhe pse “gjuha” e demokracisë është e thjeshtë për t’u kuptuar nga të gjithë dhe nuk ngjason me “gjuhët” që përdoreshin në ndërtimin e Kullës së Babilonisë, përsëri mësimi që rrjedh nga kjo legjendë e lashtë mbetet aktual: e ardhmja dhe siguria e “Familjes njerëzore” kërkon që njerëzit e shpërndarë nëpër botë, sado të ndryshëm të jenë, mund dhe duhet të bashkojnë jo inatet, jo armiqësitë, por interesat, qëllimet, idetë dhe mirëkuptimet, qenien dakord midis tyre. Kështu, lëvizja e protestës “Occupy Wallstreet”, që nisi në shtator 2011 dhe vazhdon duke u shtrirë në të gjithë botën, është e para e kësaj natyre dhe shtrirjeje, por me një apel të qartë për epokën e globalizimit! Gjithsesi, na kujton se ia vlen të nënvizohet, që nuk përjashtohet as mundësia tjetër: se krizat dhe zhvillimet jashtë shtratit të demokracisë, apo dhe progresi teknologjik i pakontrolluar, mund të çojnë në një spirale tjetër luftërash shkatërrimtare dhe revolucionesh me dhunë, që do të përbënin një apokalips të vërtetë për njerëzimin.
Përfundime

Një shtrim i tillë, disi futurologjik, i problemit të së ardhmes së demokracisë, mendoj se i shkon temës në diskutim, sepse synimi nuk është as që të rreshtohen ide të shtruara në vite për këtë çështje dhe as që të jepet ndonjë skemë zgjidhjeje tërësore për problemin në fjalë, por vetëm e vetëm që problemi të ketë frymën e kërkimit, të shprehë shqetësime reale, të ketë qartësinë e nevojshme duke e lënë gjithçka të hapur për diskutim.

Tek e fundit, një gjë mund të thuhet me siguri, se nuk ka më vend për sentencën e filozofisë politike të liberalizmit: “Secili për llogari të vet, Zoti për të gjithë”. Vetë Papa Benedikti XVI, në audiencën me trupin diplomatik pranë Selisë së Shenjtë, në fillimin e vitit 2012, theksoi se për institucionet demokratike ia vlen të luftosh dhe kërkoj nga bota: ”Rregulla të reja që u sigurojnë të gjithëve mundësinë të jetojnë me dinjitet”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel