PS: Qeveria dështoi me pronat

28/01/2012 17:55

Partia Socialiste thotë se qeveria ka dështuar me cështjen e pronës, e
cila është një nga 12 prioritetet e integrimit të Shqipërisë në BE.

Kryetarja e Grupit të Punës në Selinë Rozë, Merita Qato, thotë se Partia Socialiste po harton planin kombëtar dhe se prona duhet t’u njihet pronarëve të ligjshëm.

“Qeveria ka dështuar për shkak se kemi gati 7 mijë dosje për të cilat ende nuk është marrë një vendim nga Komisioni i Kthimit të Pronave, nuk kemi një faturë të qartë ekonomike se sa është detyrimi i qeverisë për të kthyer dhe kompensuar ish-pronarët, nuk kemi një evidencë të saktë se sa është numri i kërkesave, se sa është numri i vendimeve të dhëna nga Komisioni i Kthimit të Pronave dhe numri i kërkesave. Ne mund të themi se procesi ka dështuar duke e parë në dy aspekte, e para lidhur me pronarët. Kemi 20-vjet që këta pronarë mbeten ‘ish’ dhe nuk u bënë akoma pronarë, gjë të cilën ne në programin tonë e kemi përcaktuar qartë që nuk do ketë me term ‘ish-pronarë’ por do të jenë pronarë, sepse ata kanë të gjitha të drejtat dhe tagrat për të gëzuar të drejtën e pronësisë”,deklaroi Kryetarja e Grupit të Punës për Pronat në PS, Merita Qato.

Top Channel