21 janari, prokuroria gjen prova në banesën e IT-së

28/01/2012 00:00

Prokuroria gjen prova në banesën e Armando Kasajt, IT-ja i
Kryeministrisë që akuzohet se ka fshirë pamjet filmike të 21 janarit,
nga serveri i kamerave të sigurisë i instaluar në godinën e Këshillit të
Ministrave.

Gjatë kontrollit të banesës, e cila ndodhet në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, janë gjetur disa pajisje elektronike, ku mund të jenë filmimet e 21 janarit. “Në banesën e Armando Kasajt janë sekuestruar një lap-top, një kompjuter, USB dhe telefoni personal i 27-vjeçarit. Provat janë sekuestruar me urdhër të policisë gjyqësore dhe i kanë kaluar grupit hetimor”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, ben te ditur “Shqip”. Sipas ketyre burimeve ka dyshime se disa filmime të kamerave të sigurisë së Kryeministrisë mund të gjenden në këto pajisje.

Sekuestrimi është realizuar në datën 23 janar të këtij viti, menjëherë pasi Kasa u njoh me vendimin e gjykatës. Dy oficerë të policisë gjyqësore i komunikuan 27-vjeçarit vendimin e gjykatës. Ekzekutimi është kryer në godinën e Këshillit të Ministrave. Më pas, po këta hetues kanë shkuar në banesën e këtij personi, me një urdhër gjykate dhe kanë kontrolluar për prova. Janë sekuestruar vetëm pajisje elektronike që mund të kenë gjurmë të vrasësve të demonstruesve.

Top Channel