Partneriteti biznes-bashki, kërkesa për kredi të buta

27/01/2012 00:00

Shoqatat e biznesit i kërkojnë kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha të
mundësojë financime apo kredi të buta për bizneset që do të hapin vende
të reja pune, duke përfituar lehtësira fiskale dhe numri i të punësuarve
të jetë me pak se 50, për të përfituar uljen e taksave.

Nga ana tjeter bizneset kerkojnë, që plani urbanistik të konsultohet edhe me to, në mënyrë që të orientohen investimet e tyre.

“Ne mendojmë se duhet të ketë një përputhje midis projekteve tona, si sipërmarrës private dhe projekteve publike që ka bashkia, me qëllim që ne t’i orientojmë investimet aty ku do të ndërtohet infrastruktura. Biznesi duhet të jetë i informuar, që investimet e veta, kontratat e veta për pronat private, duhet t’i orientoje atje ku bashkia do të bëjë investime publike. Ide shumë e mirë për të lehtësuar bizneset e reja që punësojnë mbi 50 punonjës, duke e përjashtuar nga taksat, por ne mendojmë se kjo politike e re ka nevojë të mbështetet me financime ose me kredi të buta, nëpërmjet krijimit të fondeve të garancive të kredive që marrin sipërmarrësit e vegjël, se ndryshe idetë shumë të mira nuk bëhen të mundshme për t’u zbatuar”, tha Luan Bregasi nga “Business Albania”

Bizneset kerkojne qe te nise hipotekimi edhe per objektet qe ishin perfshire ne proces legalizimi e qe jane bllokuar prane ALUIZN-it.

“Përvec pallateve që ka bashkia ka mbi 200 pallate të tjera i ka ALUIZNI dhe të tjerë dhe ne do të kërkonim që e gjithë kjo pasuri të futej në procedurë të njëjtë me atë që keni marrë ju zoti kryetar përsipër. Shoqata e Ndërtuesve ka shumë materiale dhe shumë raste, ka punuar për shumë vite dhe mund të ndikojë, mund të japë kontribut dhe mund të ndihmojë për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi, që është gangrenë për ekonominë e qytetit të Tiranës”, tha Luigj Aleksi, nga Shoqata e Ndërtuesve.

Basha u ka premtuar bizneseve se do te jene partnere te bashkise dhe brenda keti viti perfundon hipotekimi i te gjithe objekteve.

“Asnjë objekt pa leje nuk do të mbetet pa u hipotekuar edhe sikur do të na duhet t’i kërkojmë qeverisjes qendrore të bëjë ndërhyrje në legjislacionin kombëtar dhe kjo do të përfundojë doemos brenda 2012. Plani urbanistik nuk synon as t’i heqë të drejtën, as t’i japë dikujt shansin për t’u punësuar brenda natës. Me 9 mars, 7 nga 20 arkitektët më të famshëm të botës do të paraqesin projektet e tyre, para një jurie ndërkombëtare dhe në këtë mënyrë do të jemi një hap më afër me përzgjedhjen e fituesit, nisjes së punës për ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm zhvillimi për qytetin e Tiranës. Jeni të ftuar të jeni pjesë”, tha Basha.

Perfaqesues te biznesit kane parashtruar edhe kerkesa te tjera ne lidhje me vendosjen e tregut te fruta-perimeve, futjen në tokë të kabllove elektrikë dhe telefonikë për të cliruar shtyllat nga këto ‘rrjeta merimangash’.

Top Channel