Deputetët e PS, letër Berishës për minierat e kromit

27/01/2012 00:00

Në mungesë te përgjigjes nga ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, për disa
pyetje që lidheshin me situatën në minierën e Bulqizës, deputetët
socialistë i drejtohen me një letër kryeministrit Sali Berisha.

Letra e deputetëve socialiste, nis me rikujtimin kryeministrit Berisha se “minatorët vazhdojnë të vdesin tuneleve të minierave të trajtuar si skllevër, ndërkohë që miliona Euro përfitime shkojnë në xhepat e shfrytëzuesve që shtojnë pasurinë e tyre. Ndaj nisur, nga këto rrethana dhe në ushtrim të detyrës tonë si Deputete në Kuvendin e Shqipërisë, ne i drejtuam disa pyetje të detajuara institucionit përkatës.
Ju bëjmë me dije – vijon letra, – se ende sot e kësaj dite, kur ka kaluar çdo afat parashikuar nga Kushtetuta dhe ligji, kerkesa jonë si Deputete të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, edhe pse në ushtrim të plotë të detyrës sonë kushtetuese, nuk ka marrë akoma asnjë përgjigje nga Ministri i Qeverisë Suaj për Ekonominë, Tregtinë dhe Energjitikën”.

Deputetët socialistë theksojnë se “mungesa e përgjigjes jo vetëm përbën një shkelje flagrante të ligjit dhe Kushtetutës, për respektimin e të cilës jemi betuar njëlloj, por thellon edhe më shumë, errësirën e heshtjes së koridoreve qeveritare prej nga ku besojmë kanë buruar praktikat e dyshimta që vazhdojnë i marrin jetën minatorëve në errësirën e galerive të vuajtjes e mjerimit”.

Top Channel