63 % e bizneseve me nga 1 punëtor

27/01/2012 00:00

Instituti i Statistikave publikoi rezultatet e Censusit mbi regjistrimin
e biznesit, sipas të cilit,në Shqipëri janë aktualisht aktive 97.436
ndërmarrje. Drejtoresha Ines Nurja thotë se pjesa dërrmuese e tyre është
krijuar pas vitit 2005.  

“50 për qind e ndërmarrjeve aktive, që janë regjistruar gjatë këtij procesi, janë krijuar gjatë viteve 2005-2009. Në totalin e ndërmarrjeve, gjysma e tyre janë përqendruar në qarqet e Tiranës dhe të Durrësit”, tha Nurja.

Sipas numrit të të punësuarve, pjesa dërrmuese e bizneseve 62.7 për qind e tyre kanë vetëm një punonjës. Rreth 28.2 për qind kanë nga 2 deri në 4 punonjës, ndërsa ndërmarrjet me mbi 50 punonjës janë vetëm 0.9 për qind e totalit. Zonja Nurja thotë se biznesi shqiptar është i orientuar drejt shërbimeve.

“Duket qartë që ekonomia shqiptare, tashmë është e zhvilluar dhe e orientuar drejt shërbimeve, pasi 84 për qind e këtyre ndërmarrjeve janë prodhues të shërbimeve”, theksoi Nurja.

Sipas regjistrimit del se 84.5 për qind e ndërmarrjeve kanë një xhiro më të vogël se 5 milionë lekë, 5.2 përqind luhaten nga 5 deri në 10 milionë lekë ndërsa vetëm 0.9 përqind kanë një xhiro më të madhe se sa 250 milionë lekë në vit, ose 2.5 milionë dollarë.

INSTAT, shifra kontradiktore për punësimin

INSTAT thotë viti 2010 ka qenë, një nga vitet më të mira për lindjen e bizneseve të reja. Sipas Censusit, gjatë këtij viti numri i ndërmarrjeve private dhe atyre shteterore, qe nuk jane shoqeri aksionere u rrit me 13  mije e 626 ose 14 për qind me shume krahasuar me një vit më parë.  Sipas INSTAT rreth 9 mijë prej ketyre bizneseve krijuan nga një vend të ri pune, 3895 hapën nga 2 deri në katër vende të reja pune dhe pjesa tjetër më shumë se sa 5 vende të reja pune.

Sipas ketyre matjeve numri total i të punësuarve te rinj, duke u bazuar në numrin minimal të punonjësve per çdo ndermarrje gjatë vitit 2010 rezulton të jetë rritur minimalisht me 21 mijë e 330. Ky eshte rezulati i Censusit. Por sipas shifrave zyrtare të punësimit që ka publikuar po vetë INSTAT, gjatë vitit 2010 numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, përfshirë dhe administratën u rrit vetëm me 7 mijë e 400 vetë ose gati 3 herë më pak sesa rezulati i Censusit. Madje numri i vendeve të reja të punës është më i vogël edhe se vetë numri i bizneseve të reja te hapuara ne 2010.

Ky eshte nje tjeter paradoks sikunder ka ndodhur shpesh me shifrat e punësimit ne Shqiperi. Per rastin e Censusit paradoksi mund te shpjegohet me disa arsye. Së pari, që gjatë vitit 2010 janë mbyllur biznese, që kanë numër të lartë punonjësish dhe janë hapur biznese të vogla me nga një punonjës, çka bën që edhe pse numri i ndërmarrjeve të rritet, ai i të punësuarve të mbesë gati në vend. Së dyti individë të caktuar zotërojnë më shumë se një biznes dhe deklarojnë vetëm veten e tyre të punësuar tek të gjithë bizneset që ata mund të kenë.

Ndërsa shpjegimi i tretë vë në dyshim njërën prej dy shifrave. Ose shifra zyrtare e të punësuarve nuk është e saktë, çka hedh dyshime për evazion, ose numri i bizneseve të reja që janë hapur gjatë 2010-ës mund të ketë qenë më i vogël nga rezultati që jep INSTAT. Por pavarësisht shkakut real, rakordimi i shifrave tregon se ekonomia ka një problem. Atë që hapja e bizneseve të reja nuk rrit punësimin, të paktën atë formal

Top Channel