Shkodër, kërkohen investime në argjinatura

26/01/2012 00:00

Masat e marra nga qeveria shqiptare për ndërtimin e argjinaturave
mbrojtëse ka ndikuar në zonën e Nënshkodrës, e cila nga një zonë shumë
problematike vitet e kaluara, sidomos ajo e Darragjatit dhe Dajçit të
Bregut të Bunës, këtë vit nuk ka pasur asnjë shqetësim në këtë drejtim.

Por, shqetësimet tashmë janë shfaqur në një zonë tjetër, atë të zonës së Oblikës, në komunën Ana e Malit, ku ujrat e lumit Buna kanë krijuar probleme serioze në grryerjen e tokës bujqësore.

Në shqetësimin e përcjellë nga komuniteti i kësaj zone, si dhe vetë kreu i komunës, Xhevat Mollça, bëhet e ditur se si rezultat i erozionit, gjatë periudhes së ndërrimit të viteve dhe në vazhdim, ujrat e lumit Buna kanë gërryer mbi 80 ha tokë bujqësore, madje duke kërcënuar edhe banesat e një pjese të banorëve të kësaj zone.

Duke ndjekur prej së afërmi situatën në fjalë, Bordi i Kullimit në prefekturën e qarkut Shkodër, me anë të specialistëve të saj, pasi ka analizuar gjendjen në terren, i ka propozuar strukturave qeveritare mbështetje financiare për të bërë të mundur ndërhyrjen në normalizimin e problemit në fjalë.

“Nevoja për të ndërhyer në këto zona të dëmtuara është tepër e madhe. Komuna e Anës së Malit është ndër komunat më të sakrifikuara në këtë mes për vete faktin se fushat e saj kanë filluar të gërryehen nga ujrat e lumit Buna”, tha drejtori i Bordit të Kullit Shkodër, Rudolf Rasha, duke bërë të ditur edhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të mbështetur me fondet e saj.

Top Channel