Itali, shqiptarët drogë sportistëve

26/01/2012 15:00

Policia italiane ka ndërmarrë në orët e para të mëngjesit të së enjtes një operacion anti-drogë, duke goditur një bandë të përbërë nga shtetas shqiptarë, që u shpërndante lëndë narkotike eksponentëve të njohur të botës së sportit në qytetin e Piacencës.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave banda e shqiptarëve përbëhej nga rreth 20 persona, të cilët vepronin në rajonet e Lombardisë dhe Emilias.

Sipas burimeve, banda siguronte drogë, kryesisht kokainë, për festat që bënin sportistë të ndryshëm, në vecanti lojtarë të regbisë, pas ndeshjeve.

Për rrjedhojë, përvec shqiptarëve, në pranga kanë përfunduar edhe elementë të tjerë të botës së sportit, mes të cilëve 13 lojtarë regbie dhe nënkampionia e Evropës për bodybuilding, Mariachiara Borella.

Gjithashtu, sportistët në fjalë shpërndanin lëndë narkotike, hashash e droga të tjera sintetike, në ambjentet e palestrave ku stërviteshin si dhe në lokalet e ndjekura nga të rinjtë në qytetin e Piacencës.

Policia lokale ka deklaruar se shtetasit shqiptarë kishin ngritur një rrjet të mirëorganizuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike, ndërkohë që do të kryhen hetime të mëtejshme.

Përfshirja e lojtarëve të regbisë dhe nënkampiones Borella është komentuar nga mediat italiane si një tjetër skandal për sportin vendas, pas atij të basteve në futboll.

Top Channel