”Zbulohet” flamuri i Ismail Qemalit

26/01/2012 20:00

Meritë apo neglizhencë e pafalshme njëshekullore? Kjo është pikëpyetja e madhe që rrethon sot komunitetin e historianëve, në lidhje me këta dy flamuj.

Ky është flamuri që është përdorur në ndërtesën e qeverisë së Vlorës gjatë vitit 1913, kurse me këtë tjetrin, është mbuluar arkivoli me trupin e pa jetë të Ismail bej Vlorës, më 26 janar 1919.

Por, përkatësia e flamujve është vërtetuar shkencërisht vetëm pak kohë më parë, ndërkohë që dy flamujt, por edhe të tjerë, kanë dhjetra vjet që gjenden në zotërim të shtetit shqiptar, të fjetur në arkivat e etnografisë.

Psh, flamuri me të cilin është mbuluar Ismail bej Vlora në funeralin e tij i është dhuruar Muzeut Kombëtar që në vitin 1932, me një proces-verbal të rregullt. Por ai ra në harresë… deri më sot. Pse?

”Në periudhën e kaluar, ndoshta duhen kërkuar mangësi në veprimtarinë e qarqeve shkencore, elitës dhe historianëve, që ndoshta janë përpjekur të precizojë probleme të mëdha, por jo pjesë të veçanta, fotografi, relike e dokumenta të tjera të kohës që ndriçojnë historinë », theksoi Pr.Dr. Marenglen Verli.

Por, në historisë së vendit i mungojnë plot detaje të tjera në lidhje që dokumetojnë mëvetësimin e Shqipërisë. Mungon ende flamuri i 28 nëntorit 1912, mungon qoftë edhe një foto e vetme, kjo foto që gjendet në librat e shkollës i përket festimeve të 1 vjetorit, më 28 nëntor 1913.

Mungon dokumenti i pavarësisë, ata që njihen janë vetëm kopje të orgjinalit, ndërkohë që diskutime ka pasur për shkruesin e deklaratës apo deri edhe për datën e vdekjes së Ismail Qemalit. Drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, flet për nevojën e rishkrimit të historisë: «Me historinë kemi ende punë, sepse ajo parrulla që themi shpesh, rishkrimi, nuk është një sllogan, por një detyrim që duhet të plotësohet dita-ditës»

Historianët dolën me një thirrje publike, që kush ka dokumente apo relike të kohës, t’i dorëzojë ato. Ndërkohë që i kërkuan shtetit, të vendos edhe një shpërblim. Sa i takon dy flamujve, këta do të restaurohen dhe do të ekspozohen për publikun në nëntor, në 100 vjetorin e pavarësisë.

Top Channel