Zgjedhjet si rrënim i universiteteve

25/01/2012 00:00

Besnik Gjongecaj – Universitetet shqiptare janë universitetet më tipike që demonstrojnë
paradoksin se si zbatimi i një standardi demokratik, në vend që të
prodhojë zhvillim apo progres, prodhon të kundërtën, pra prodhon rrënim.

Zbatimi i zgjedhjeve të autoriteteve dhe strukturave në universitetet shqiptare e demonstron këtë gjë. Universitetet nuk janë terreni i vetëm institucional ku ndodh kështu. Për shkak të statusit si institucione autonome, universitetet vetëm se e vënë më shumë në dukje këtë paradoks. Kështu ndodh në fakt në fushën e arsimit në përgjithësi, kështu ndodh në fushën e shëndetit publik, kështu ndodh në drejtësi, kështu ndodh veçanërisht në fushën e trajtimit të burimeve njerëzore në administratë. Le të marrim vetëm këtë të fundit. Nuk ka pothuajse asnjë ndryshim thelbësor midis standardeve të vendosura për konkurrim në Shqipëri dhe atyre të vendosura në një vend tjetër. Njerëzit, gjithsesi, ngurrojnë të konkurrojnë nëse nuk kanë një lidhje të veçantë me organizuesit e konkurrimit, nëse nuk kanë krijuar mundësinë për blerjen e vendit të punës, nëse nuk i takojnë politikisht partisë që është në pushtet. Në këtë mënyrë, vendosja e standardit jo vetëm që nuk çon në një zhvillim të burimeve njerëzore të vendit, por kthehet në të kundërtën, në një rrënim të sigurt të tyre. Është një si “rejection”, një shtytje që ky vend i bën standardeve të demokracisë. Është ekzaktësisht si në një transfuzion gjaku, kur një i sëmurë nuk e pranon atë gjak që nuk ka cilësitë e gjakut të tij. Ashtu si i sëmuri, shoqëria shqiptare shfaq një mospranim të rregullave apo standardeve të botës perëndimore, duke treguar qartësisht që ka rregulla të tjera me anë të të cilave ajo e rregullon jetën e saj. Zbatimi i standardeve perëndimore është si një “gjak” tjetër që nuk i shkon trupit të sëmurë të shoqërisë shqiptare, që nuk funksionon brenda tij, që “bën reaksion”, që e vdes atë, në fund të fundit. Pavarësisht nga retorikat cinike të qeveritarëve të sotëm, Shqipëria nuk pranon zbatimin e standardeve demokratike, sepse nuk është vetë demokratike. Trupi i saj nuk është si trupi i një vendi europian. Trupi i Shqipërisë është trupi i një regjimi autoritarist, dhe si i tillë, ai i shtyn, nuk i pranon rregullat e një sistemi demokratik. Edhe nëse i pranon, e bën fare formalisht, e bën sa për të qenë aty, e bën sa për t’ia treguar të tjerëve. Kur e bën tamam, atëherë e rrënon institucionin në të cilin ndodh zbatimi i standardit. Kështu po ndodh sot me universitetet. Nëse zgjedhjet universitare në një universitet europian, si një standard i Këshillit të Europës, kanë sjellë ekuilibër midis autoriteteve dhe universitarëve, kanë sjellë një autonomi edhe më substanciale, një zhvillim të vrullshëm, kur janë zbatuar në Shqipëri ato kanë sjellë një rrënim të mëtejshëm të universiteteve, një skllavërim edhe më të madh të tyre ndaj politikës. Mbi të gjitha, zgjedhjet universitare në këtë vend kanë prodhuar, as më shumë e as më pak, thyerje dramatike të parimeve morale dhe integritetit të universitarit.

* * *

Kur flitet për universitetet nënkuptohet një tërësi standardesh që ekzistojnë si të tillë. Mungesa e njërit apo e disa prej tyre cenojnë esencialisht edhe standardet e tjera, vetë ekzistencën e universitetit si institucion. I përcaktuar nga Këshilli i Europës, modeli i një universitet të sotëm është: “një universitet që ‘merr frymë’ nëpërmjet një autonomie institucionale (liri akademike, autonomi administrative, strukturore dhe financiare), ku mësohet nëpërmjet kërkimit shkencor, (unifikimi i mësimit me kërkimin shkencor), me një kulturë dhe praktikë hibride (universiteti është përgjegjës për perspektivën e sektorit publik sepse paguhet nga qeveria, por nga ana tjetër, ai është gjithashtu subjekt i forcave të tregut) dhe i aftë të zhvillojë personalitetin e studentit, duke e përgatitur atë për jetën”. Një universitet i sotëm shqiptar nuk ka asnjë nga dimensionet e përmendura në këtë model, por vetëm bën sikur i ka. Një universitet i sotëm nuk ka autonomi institucionale reale, por ka aq autonomi sa i teket qeverisë që t’i japë, madje, edhe kur ia jep me ligj, në mënyrën më arrogante dhe shpërfillëse ia merr me vendime, rregullore, udhëzime. Sot në universitet nuk mësohet nëpërmjet kërkimit shkencor, madje, sot në universitete nuk ka kërkim real shkencor. Universitetet e sotme nuk janë autorë të zhvillimit të vendit, madje as nuk marrin pjesë në të. Universitetet janë ca qendra të mjeruara didaktike të paafta të zgjidhin ndonjë problem që ka shoqëria dhe si të tillë, pothuajse të gjitha autoritetet universitare që zgjidhen nëpërmjet votës nuk i njohin as komshinjtë, jo më qytetarët e këtij vendi, jo më specialistët, kompanitë. Si të tillë, ata janë edhe autoritetet me profil më të ulët publik që gjenden sot në Shqipëri. Dhe së fundi: universitetet e sotme nuk bëjnë asnjë përpjekje për të zhvilluar personalitetin e studentit, përkundrazi, e zvogëlojnë atë deri në poshtërim, duke e edukuar të vlerësohet dhe të marrë diplomën edhe pa mësuar. Ndërsa përgatitja e studentit për jetën si dimension i modelit europian është më i paaplikueshmi për Shqipërinë, sepse askush në universitetet tona nuk di se për çfarë jete ta përgatisë studentin tonë: për jetën reale apo për atë virtuale, pra për kaosin e mjerimin e sotëm apo për atë jetë që presim të ndërtohet një ditë. Nëse e përgatit për jetën reale, ashtu si në të vërtetë ajo është në Shqipëri, atëherë nuk besoj që qoftë një i ri i vetëm të ketë nevojë të kryejë studimet universitare. Ai thjesht do të ketë nevojë të mësojë se si mbijetohet në xhungël. Nëse e përgatit për jetën virtuale, pra për atë jetë që pritet të krijohet në Shqipëri, atëherë duhet ta fillojmë nga pedagogët, t’i përgatitim ata njëherë; duhet të fillojmë nga ata që prodhojnë ngjarje publike në Shqipëri, nga qeveritarët, gjykatësit, parlamentarët. T’i edukojmë se si duhet të sillen, si duhet të prodhojnë politikë, si duhet të mos vjedhin dhe pastaj, pra vetëm pas kësaj, të mund të përdorim realitetin e ri si një shembull jetësor për studentët universitarë. Qartësisht, në këtë pikë kemi të bëjmë me një mision të pamundur universitar ose, që është e njëjta gjë, kemi të bëjmë me dimensionet reale të asaj dhurate të helmatisur që politikanët i kanë dhuruar këtij vendi, së paku.

* * *

Kandidatët që do të konkurrojnë në zgjedhjet universitare nuk do të mund të kenë realisht asgjë në dorë për t’iu premtuar universitarëve në këmbim të votës së tyre. Madje, ata as nuk mund të kërkojnë ndonjë mjet legal për të realizuar ndryshime, sepse universiteti ku ata konkurrojnë nuk përfshihet në asnjë model. Asgjë brenda universitetit shqiptar nuk mund të ndryshohet nga autoritetet e tij, edhe sikur ata të karakterizohen nga integriteti, gjë që objektivisht është një ngjarje e rrallë në Shqipëri. Pamundësia objektive e autoriteteve për të ndryshuar universitetet ka të paktën dy arsye. Së pari, universitetet ndodhen nën thundrën e politikës. Së dyti, universitetet shqiptare janë jashtë çdo standardi, nuk mbështeten mbi asnjë parim moral, nuk mbështeten mbi integritetin si vlerë jetike, prandaj, ato janë edhe të zhveshur nga çdo mundësi për t’u qeverisur nëpërmjet rregullave, aq më shumë, nëpërmjet frymës lidership. Të pafuqishëm për t’i ndryshuar universitetet, kandidatët për autoritetet universitare do të kenë në duar mjetet e gabuara, përdorimi i të cilave do t’i ndryshojnë edhe më për keq universitetet. Ata do të fillojnë të bëjnë po ato premtime që kanë bërë edhe katër vjet më parë: shkuarje jashtë shtetit, vende të pamerituara pune, vjedhje projektesh, para, specializime të pamerituara, punësime të pjesëtarëve të familjes të mbështetësve, miqësi personale me qeveritarët… Do të bëjnë ekzaktësisht atë që nuk duhet të bëjnë. Do ta zhytin universitetin edhe më thellë në llumin e anarkisë, të inferioritetit, të mungesës së standardeve, të mungesës së vlerave, mbi të gjitha.

* * *

Që në origjinë të tyre, universitetet kanë pasur si një bashmision ndryshimin e shoqërisë. Këtë e kanë bërë gjithmonë duke ndryshuar veten. Kjo gjë është e vërtetë edhe në kuptimin e kundërt. Shoqëria e ndryshuar nga universitetet i ka ndihmuar gjithmonë ata të ndryshojnë vetveten, dhe në këtë mënyrë, të bëhen edhe më të aftë të ndihmojnë shoqërinë të zhvillohet më tej. Në një pikëpamje, niveli i universiteteve varet nga vetë niveli i shoqërisë, ashtu sikundër vetë shoqëria mbetet e prapambetur nëse universitetet janë të tilla. Lidhja shoqëri-universitet është aq sinjifikative, sa çdo tentativë për të hyrë dhe modifikuar këtë lidhje nga jashtë është e destinuar të dështojë. Futja e zgjedhjeve universitare në Shqipëri është një tentativë për të aplikuar një standard europian në kushtet e një regjimi politik autoritarist, hibrid, pra në kushtet e një shoqërie ekzistenca e të cilës nuk rregullohet nga norma demokratike. Ky është në thelb shkaku pse zgjedhjet universitare në Shqipëri bëjnë më shumë keq se mirë, pse këto zgjedhje stimulojnë dallkaukët, pse ato janë një mekanizëm perfekt për të nxjerrë në krye të paaftët, të korruptuarit, modelin më të keq të një profesori apo një pedagogu. Pra, pse përfundimisht zgjedhjet universitare “villen”, nuk pranohen nga universitetet dhe trupi i shoqërisë shqiptare. Një konkluzion i tillë nuk “frymëzohet” nga fatalizmi, përkundrazi, është thellësisht realist. Si i tillë, ai është një thirrje për të kuptuar se sistemi universitar nuk rivitalizohet me zgjedhjet universitare, nuk ndryshon nëpërmjet tyre dhe as nuk del dot nga llumi ku është zhytur. Ai vetëm bëhet më llum dhe më i varur nga politika. Aq më shumë, nuk mund të ketë më shanse se universitetet ndryshohen në këtë vend pa ndryshuar më parë shoqërinë, pa ndryshuar regjimin politik autoritarist të këtij vendi, pa e shndërruar atë në sistem demokratik. Edhe universitetet do të kenë një rol në këtë drejtim. Vetëm kur shoqëria shqiptare të shndërrohet nga një sistem autoritarist në një sistem demokratik, pra vetëm atëherë kur shoqëria shqiptare jo vetëm të sillet si demokratike, por edhe të jetë realisht e tillë, universitetet do të mund të fitojnë shansin e adoptimit të çdo standardi demokratik, edhe atë të zgjedhjeve, duke qenë të sigurt që nuk do të ketë “rejection”, mospranim të tyre.

Gazeta “Shqip”

Top Channel