Ulje e papritur e interesit

25/01/2012 00:00

Publikimi i shifrave pesimiste në dhjetor mbi rritjen ekonomike dhe
treguesit e besimit të biznesit e kanë detyruar Bankën Qendrore, të ulë
papritur normën bazë interesit me 0.25 pike, duke arritur në 4.5 përqind
dhe duke kapur nje tjeter minimum historik, pas vendimit të fundit në
muajin nëntor.

“Zhvillimet negative në kontekstin botëror janë reflektuar me një rritje të pasigurisë së ekonomisë shqiptare dhe kanë ndikuar negativisht konsumin dhe investimet në vend. Një vendim i tillë ofron kushtet e përshtatshme monetare për përmbushjen të objektivit afatmesëm të inflacionit. Kjo lëvizje rrit njëkohësisht stimulin monetar dhe nxit në aktivitetin ekonomik në vend”, tha guvernatori Ardian Fullani.

Guvernatori tha se ekonomia ka hyrë në një rreth vicioz, ku ulja e konsumit nga qytetarët tani po frenon bizneset të investojnë.

“Konsumi privat vazhdon të reflektojë një sjellje hezituese të konsumatorëve në kryerjen e shpenzimeve dhe orientimin e tyre drejt kursimit. Ecuria e dobët e shpenzimeve konsumatore dhe prania e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonomi ka frenuar kërkesën e bizneseve për të kryer investime të reja. Paralelisht me të rritja e kujdesit të bankave në kredidhënie, mund të ketë dekurajuar një pjesë të mirë të kërkesës së kredisë për investime”, tha Fullani.

Në këto kushte Banka e Shqiperise paralajmëron se do vazhdoje ta mbajë në nivelet të ulëta normën bazë te interesit edhe gjatë vitit 2012, për të nxitur rritjen ekonomike, me shpresën se qytetarët do të rrisin konsumin dhe biznesi investimet.

Sipas parashikimeve tona inflacioni me 90 per qind probabilitet inflacioni do luhatet nga 1-3 per qind gjate ketij viti, ndaj do të vazhdojmë të ruajmë natyrën stimuluese të ekonomisë. Guvernatori tha se pavarësisht krizës, ekonomia shqiptare i ka mundësitë që gjatë vitit 2012 të ketë një ecuri më të mirë se ajo e vitit të kaluar.

Top Channel