Tjetër dhunim ndaj pedagogëve

25/01/2012 00:00

Arjan Gjini, pedagog i lëndëve juridike pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Gjirokastrës ka denoncuar në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës dhunimin e tij publik prej disa personave për shkak të detyrës.

Gjini tha në kallëzimin e tij penal se ka qenë duke përshkuar rrugën qëndrore të Pazarit karakteristik në Gjirokastër rreth orës 10.00 paradite kur është përballur me një person i cili ka zbritur nga një automjet që Gjini pretendon se ishte i Prefekturës së Gjirokastrës.

Drejtuesi i mjetit e ka goditur disa herë me grushta në fytyrë dhe trup duke i bërë presion për t’i dhënë notë kaluese në provim së bijës.

Arjan Gjini punon prej 5 vitesh si pedagog i jashtëm në Universitetin e Gjirokastrës ndërsa paralelisht ai kryen edhe detyrën e kancelarit në Gjykatën e Apelit të Rrethit. Kallëzimi që ai ka drejtuar në polici akuzon për rrahje shoferin e Prefektes së Qarkut të Gjirokastrës, ndërsa ende nuk ka ndonjë reagim nga pala e paditur apo informacion mbi vijimësinë e hetimit të kësaj ngjarjeje.

Top Channel