Levan-Vlorë, kalvari i qeverisë

25/01/2012 00:00

Qeveria shqiptare po planifikon të zhbëjë kontratën për ndërtimin e
rrugës Levan-Vlorë me kompaninë austriake ‘Alpine’, për shkak të një
konflikti financiar që ka lindur mes palëve.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve thanë për Top Channel se kompania e ka lënë pezull rrugën pasi pretendon se qeveria shqiptare duhet t’i paguajë një fond shtesë prej 3.5 milionë eurosh, në formën e dëmit, që i janë shkaktuar nga vonesat.

Por kjo nuk është pranuar nga qeveria dhe burimet bëjnë të ditur që para fundit të këtij muaji, të ketë një zgjidhje përfundimtare, e cila mund të jetë prishja e kontratës ose arritja e një marrëveshjeje për rinisjen e punimeve të lëna pezull.  

Rruga, një nga dështimet më të mëdha

Rruga Levan-Vlorë është një nga dështimet më të mëdha në punët publike me vonesa që kanë tejkaluar cdo limit kohor.

“Eshtë e vërtetë që ka patur probleme të kontraktorit në këtë autostradë, por gjithësesi nëpërmjet procedurave përkatëse kontraktuale ato janë zgjidhur dhe nuk mendoj që shembull i keq të përgjithësohet pastaj”, tha Andi Toma, drejtor i Pergjithshem i Rrugeve.

E përuruar nga kryeministri në 24 shkurt të 2007, rruga nisi të ndërtohej një vit më vonë, në qershor të vitit 2008. Fillimisht ndërtimi i rrugës u ndal për shkak të problemeve mes kompanisë ‘Alpine’ dhe nënkontraktorëve.

“Levan-Vlorë ka qenë një eksperiencë e hidhur për ne, në kuptimin e mosmarrëveshjeve të mëdha të brendshme të kontraktorit me nënkotraktorët e tij. Ne nuk mund të ndërhynim dot, megjithatë kjo eksperiencë mund të shërbejë që në përzgjedhjen e nënkontratorëve të kihet më shumë kujdes se cilët do të jenë ata”, theksoi Ylli Gjoni, nendrejtor i Pergjithshem i Rrugeve.

Pak kohë më parë ministri i Punëve Publike përuroi ndërtimin e 16 kilometrave të para, por ‘Alpine’ tashmë ka lënë pezull pjesën tjetër të rrugës, që duhet të asfaltohet dhe pajiset me sinjalistikën e sigurisë, pasi i kërkon qeverisë 3.5 milionë euro. Tani kur po mbushen gati 5 vjet nga inaugurimi i punimeve rruga vazhdon të shtyhet pafund dhe ende nuk ka një afat zyrtar se kur ajo do të jetë gati për qytetarët.  

Miratohet kredia për bypass-in e Fierit e Vlorës

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi kredinë prej 53
milionë euro me interesa të butë që qeveria ka marrë nga Banka Europiane për
Rindërtim dhe Zhvillim për të ndërtuar by pasin e Fierit dhe atë të Vlorës.
Bypassi i Fierit ka një gjatësi prej 22 kilometra dhe kushton 60 milionë euro.

Ndërsa bypassi i dytë ai i vlorës është me gjatësi 29 kilometër dhe do të
kushtojë 49 milionë euro. Vec kredisë nga BERZH qeveria shqiptare ka
kontraktuar edhe një tjetër kredi të butë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe
Zhvillim për financimin e këtyre dy veprave, të cilat kanë për qëllim të
reduktojnë trafikun e rënduar në zonat bregdetare të vendit, sidomos gjatë
sezonit të pushimeve. Marrëveshja u miratua edhe me konsensusin e
opozitës. 

 

 

Top Channel