Hetim gjithëpërfshirës, përse jo edhe Berisha?

25/01/2012 00:00

Andrea Stefani – Pasi prokuroria ka bërë publik vendimin për hetimin edhe të tre
deputetëve socialistë lidhur me demonstratën e 21 janarit, lidershipi
socialist, përfshirë Edi Ramën, ka deklaruar se është i gatshëm të vihet
në dispozicion të hetimeve.

 Pa shumë komente, një qëndrim në përputhje edhe me sugjerimet e ndërkombëtarëve për një hetim gjithëpërfshirës. Por ndërkaq, opozita ka shprehur edhe pakënaqësinë që aktorë kryesorë të asaj që ndodhi në 21 janar, si Sali Berisha apo Lulzim Basha, po mbeten jashtë hetimit “gjithëpërfshirës”. Dhe na duket, jo pa të drejtë. Trajtimi i palëve politike në 21 janar, të paktën deri sot, është asimetrik. Vetëm pala e opozitës po hetohet, ndërkohë që ajo e pushtetit, edhe pse indiciet, tashmë publike, për fajësinë e saj në masakrën e 21 janarit janë shumë më të mëdha. Dhe, a nuk është paksa çudi që pikërisht Kryeministri Berisha, ai që kërkoi me ngulm hetim gjithëpërfshirës, përpiqet, ndryshe nga rivali i tij Edi Rama, të mbetet vetë jashtë këtij hetimi? Pse fshihet dhe cilave të fshehta i frigohet ai? Dhe a nuk e bën një gjë të tillë hetimin jo dhe aq gjithëpërfshirës?

* * *

Mbi 20 vjet pasi qytetari Sali Berisha braktisi profesionin e kardiologut për të hyrë në politikë me premtimin e “shtetit ligjor”, ku të gjithë janë të barabartë para ligjit. Por pas dy dekadash, të gjithë shohin se ai ka konsoliduar për veten kultin antidemokratik të njeriut që nuk përgjigjet para askujt. As para ligjit. Mund të ndodhë në SHBA që zyrtari më i fuqishëm i botës, Presidenti, t’i nënshtrohet një investigimi, por as mund të mendohet në Shqipëri që Kryeministri i saj, Berisha, të begenisë t’i përgjigjet prokurorisë. Është një pabarazi para ligjit jo vetëm fyese për çdo qytetar, por edhe një precedent kërcënues për themelin e shtetit ligjor, që është barazia para ligjit. Këtij precedenti që po kapilarizohet në shembuj të tjerë, i dedikojmë “kulturën” e pandëshkueshmërisë të njerëzve me pushtet po të korruptuar. Por a ka ndonjë shkak të dukshëm që edhe Kryeministri të jetë objekt i hetimit për masakrën e 21 janarit? Po madje, shumë më tepër sesa shkaqet e servirura për të hetuar deputetët e opozitës. Mbi të gjitha, vetë gënjeshtrat e lëshuara në publik nga vetë Berisha për këtë ngjarje. Dhe kush gënjen, nuk e bën këtë në emër të së vërtetës, por për fshehjen e së vërtetës. Cila është e vërteta e 21 janarit që Berisha kërkon ta fshehë? Tashmë atë e dinë shumica e shqiptarëve. Edhe opozitarët, por edhe mbështetësit e vetë Berishës e dinë kush i vrau 4 martirët. Por puna është që ajo që e di gjithkush, të faktohet dhe një gjë e tillë nuk mund të arrihet pa u zbuluar ajo që fsheh Berisha. Dhe manteli i të vërtetave të përgjakshme që fsheh Berisha janë vetë gënjeshtrat e Berishës për 21 janarin. Është detyrë e drejtësisë ta grisë atë mantel.

* * *

Gënjeshtra e parë e Berishës është akuza publike, e bërë pak orë pas masakrës, se protestuesit u vranë apo u plagosën të qëlluar nga afër, nga vetë opozita, me pistoleta që nuk janë në dotacionin e Gardës së Republikës, me pistoleta çadër apo me thika me helm. Sot FBI zbulon të kundërtën, se jo vetëm që vrasjet janë bërë me pistoleta dhe armë të Gardës, por edhe se protestuesit janë qëlluar nga larg. Pse e lëshoi një gënjeshtër të tillë Berisha? Vallë sepse u dezinformua nga një mjek i Spitalit Ushtarak? Po ç’është ky Kryeministër që me mendjelehtësi të skajshme pranon si ekspertizë për vrasjet thjesht vëzhgimet empirike të një mjeku? A thua të jetë kaq i lehtë nga mendja? Nuk duket ashtu. Ka më shumë të ngjarë që Berisha vetë ta ketë orientuar mjekun se ç’duhet të thotë për të vrarët dhe plagët e tyre. Duket, Berishës i duhej deklarata e nxituar e mjekut për ta përdorur si “fakt” të vrasjes së demonstruesve nga opozita dhe jo nga Garda. Hetimet e FBI provuan se Kryeministri ka mashtruar publikun. Ndërkaq, është thuajse e qartë që i vetëdijshëm për autorët e vrasjeve afër tij, Berisha ka tentuar ta flakë fajin për krimin nga ana e opozitës. A mund të tolerohen në një shtet ligjor të tilla pelivanllëqe mashtruese, tipike për diktatorët, tipike për Enverin që hodhi vetë bomba në ambasadën sovjetike dhe akuzoi opozitën? Prandaj themi se hetimi gjithëpërfshirës duhet të kërkojë shkaqet pse Berisha mashtroi shqiptarët lidhur me vrasjet dhe se pse njerëz të tjerë si mjeku i Spitalit Ushtarak, komandanti i Gardës apo edhe disa ministra, u sinkronizuan me gënjeshtrat e tij duke kamufluar autorët e vërtetë të krimit. Ndërkaq, ekspertiza e FBI-së ka zbuluar edhe një krim tjetër të kryer nga brenda kampit berishist, që është zhdukja e filmimeve të ndodhura në serverin e Kryeministrisë. Gjëja e parë që një kryeministër do të bënte pas ndonjë puçi apo sulmi të dështuar mbi godinën e Kryeministrisë, sikundër dhe Berisha akuzoi opozitën në 21 janar, do të ishte ruajtja e filmimeve që nuk mund të mos demaskonin me zë dhe me figurë, puçistët apo sulmuesit e institucionit. Dhe nuk mund të mos habitesh kur dëgjon se këto fakte kundër puçistëve janë fshirë pikërisht nga njerëzit e Kryeministrit që akuzon opozitën për puç? Si shpjegohet një kontradiktë e tillë? Vetëm me logjikën që nuk ka pasur puç apo sulm, se puçi apo sulmi janë shpifje të Berishës dhe se serveri është riformatuar për të zhdukur faktet që denoncojnë krimin e bërë nga gardistët, por mbi të gjitha, urdhrat e dhëna gardistëve nga njerëz me pushtet. Një hierarki që, logjikisht, vështirë të mos shkojë shumë lart, deri tek Berisha vetë, që ndiqte operacionet nga dritarja e zyrës së tij. Berisha duhet të dëshmojë në prokurori ato fakte që e bënë të arrinte në përfundimin e ekzistencës së një puçi, organizatorë të të cilit, bëri edhe Presidentin e Republikës dhe vetë Kryeprokuroren Ina Rama. Hedhja poshtë nga ekspertiza e FBI e akuzave të Kryeministrit për vrasjen e demonstruesve nga opozita, e bën Berishën përgjegjës direkt për zhdukjen e gjurmëve të një krimi tashmë të faktuar dhe si i tillë, nuk meriton të jetë më në atë zyrë. Në këtë rast Berisha nuk ka bërë më pak se kreu i Gardës, që rezulton se ka ndërruar tytën e pistoletës për të fshehur vrasjen. Asnjë shqiptar me pak arsye, i majtë apo i djathtë, nuk duhet të pranojë si normal një mashtrim të tillë, bërë në zemër të një prej institucioneve më të larta të shtetit. Por kjo është ana politike dhe morale e problemit që duhet të trajtohet nga opozita dhe shqiptarët. Ndërkaq, për dyshime të tilla, tashmë gjerësisht publike, Berisha është një nga politikanët e parë që duhet të hetohet. Gjë që është detyrë e prokurorisë që ta ndërmarrë. Të hetosh gardistët dhe të mos hetosh Kryeministrin, është njësoj si të arrestosh pistoletën, por jo atë që e përdori pistoletën për të vrarë demonstruesit. Duket se Berisha i keqpërdori gardistët dhe tani, për të shpëtuar veten, po i flak ashtu si vrasësi flak armën për të humbur gjurmët. Ashtu si edhe me korrupsionin e pandëshkueshëm në nivele të larta, ashtu si me Gërdecin, po tentohet që për krimin e 21 janarit të ndëshkohen vetëm gardistët, po jo frymëzuesit politikë të masakrës më të përgjakshme në historinë e tranzicionit shqiptar. Dhe në fund fare, si është e mundur që “puçisti” Edi Rama është i gatshëm të hetohet, ndërsa “i pafajshmi” Berisha nuk shfaq një gatishmëri të tillë?

Gazeta “Shqip”

Top Channel