Berisha vizitë në Mal të Zi

25/01/2012 00:00

Mali i Zi dhe Shqipëria konfirmuan partneritetin e ngushtë mes dy vendeve si në procesin e përbashkët drejt integrimit europian, ashtu edhe në konsolidimin e bashkëpunimit ekonomik.

Krijimi i dy pikave të reja kufitare me Malin e Zi dhe planet për zhvillimin e infrastrukturës dhe turizmit ishin në qendër të takimit në Podgoricë mes kryeministrit, Sali Berisha dhe homologut malazez, Igor Lukshic.

Zoti Berisha vlerësoi se interesi më i mirë kombëtar i dy vendeve është integrimi europian, i cili zbeh edhe cdo zë që përfaqëson nacionalizmin ekstremist.

“Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë ideali kombëtar bëhet ose barazohet me idealin europian. Kështu që zërat e ekstremistëve ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush. E vërteta është që popujt tanë dhe vendet tona kanë përkushtimin më të madh për integrimin në Bashkimin Europian”, tha Berisha.

Të dy kryeministrat vlerësuan se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi janë modeli më i mirë i bashkëpunimit për të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Top Channel