Tiranë-Elbasan, 293 milionë dollarë

24/01/2012 08:20

Ministria e Financave zbardhi koston totale të rrugës Tiranë-Elbasan,
projektit më të madh në infrastrukturë që po ndërtohet aktualisht me
fondet e buxhetit.

“Ky projekt ishte vlerësuar fillimisht të kushtonte rreth 400 milionë dollarë dhe vlerësojmë se në total kursimet për këtë projekt do të jenë 110 milione dollare. Vlera e tanishme e projektit konsiderohet rreth 290 milionë dollarë”, tha Xhentil Demiraj, drejtor i Menaxhimit te Borxhit, 

Qeveria thote se ka arritur ta mbyllë të gjithë paketën e financimit për këtë projekt përmes kredive të kontraktuara nga Fondi Islamik, ai i Abu Dabit dhe fondi i OPEC-ut, të cilat janë marrë të gjitha me interesa buta. Kjo procedurë u mbështet edhe nga opozita, e cila votoi pro marrëveshjes së kredisë.

Por Erjon Braçe vuri në dukje faktin se kostoja e kësaj rrugë, sipas tij, është prova më e qartë e abuzimeve që kanë ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës.

“Kjo eshte rruga, mënyra e ndërtimit të një vepre madhore, që synon të shkurtojë kostot, qoftë për buxhetin e shtetit, qoftë edhe për taksapaguesit shqiptarë. Kjo mënyrë prokurimi e ndërtimit të kësaj rruge, e bën edhe më të qartë, qoftë dyshimin, qoftë edhe akuzën për mënyrën se si është ndërtuar ai 56 mijë kilometërshi tjetër”, tha Braçe.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Rrugëve Skëndër Çota, tha se ndërtimi i tunelit, të Elbasanit po ecën me ritme mjaft të shpejta.

“Deri sot punimet kanë avancuar në rreth 41 përqind të gjatësisë së tunelit dhe përafërsisht ecet me 0.5 deri 1 përqind progres cdo ditë”, tha Çota.

Ruga Tiranë-Elbasan po ndërtohet sipas projekteve dhe preventivave të përcaktuara më parë, ndërkohë që në rastin e rrugës Durrës-Kukës u ndoq procedura e çmimit për njësi, një nga arsyet kryesore, që coi në rritjen e fortë të kostos deri në dy herë krahasuar me parashikimet fillestare. 

Top Channel