Pa kaluar shumë kohë nga vendimi që gjyqtari i Tiranës, Shkëlqim Mustafa dha për ish-komandantin e gardës, Ndrea Prendi, ish-numri një i Gardës së Republikës u paraqit në prokurori për t’u pyetur mbi ditën e demonstratës së 21 janarit 2011.

Ndryshe nga sa ka deklaruar disa muaj më parë kur u pyet nga hetuesit, gjeneral Ndrea Prendi kësaj radhe mësohet të ketë hedhur poshtë deklaratën e tij.

Nga burime jozyrtare mësohet se Prendi ka thënë se ka qëlluar në ajër, ndërkohë në deklarimin e mëparshëm kishte thënë se ai nuk kishte qëlluar.

Shoferi i tij Margarit Kume ka deklaruar këtë të hënë se nuk ka qenë në vendngjarje në 21 janar dhe jo më të ketë qëlluar. Sipas prokurorëve, kjo deklaratë është e verifikuar dhe e vërtetë.

Gjeneral Prendi hyri në këto ambjente me makinën e gardës, qendroi për më shumë se një orë e gjysmë dhe doli prej zyrave të prokurorisë së Tiranës i shoqëruar nga makinat e policisë.

Gjenerali Prendi akuzohet për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj, në bazë të ekspertizës së predhës të kryer nga FBI në Amerikë, ku rezulton se nga 11 qitje të kryera nga kjo pistoletë në drejtim të turmës, njëra prej tyre i ka marrë jetën shtetasit Faik Myrtaj.

Ndërkohë, në të njëjtën ditë ishin në prokurori edhe shoferi i gjeneralit, Margarit Kume, nën akuzë për fshehje të provave, pasi ka ndryshuar tytën e armës “Berreta” nën përdorim nga gjenerali me tytën e armës së tij.

Si dhe ish-shefi i IT-së në kryeministri Armando Kasaj, nën akuzë për kryerje të veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, pasi konkretisht ai ka fshirë pamjet flimike të serverit të kryeministrisë disa orë pas demonstratës tragjike ku katër persona u vranë në bulevard.

Ai akuzohet gjithashtu edhe për shpërdorim detyre. Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë për tre të pandehurit me arrest shtëpie, ku për gjeneralin Prendi është vendosur po ashtu edhe ruajtja në banesë me prani të përhershme të policisë.

Gjykata pohon se ka cilësuar gjithashtu si të vlefshme ekspertizat e kryera nga FBI, si dhe procedurat që janë ndjekur për të kryer këtë ekspertizë.

Sipas burimeve nga gjykata, për të akuzuarin për vrasje, gjeneral Ndrea Prendi është dhënë kjo masë pasi prokuroria kur ka tërhequr armen tip “Berreta” nuk ka një firmë që këtë pistoletë e ka tërhequr i akuzuari, si edhe sepse gjatë sekuestrimit prokuroria e ka marrë në dorëzim provën me firmë të shefit të armatimit të gardës dhe jo të vetë përdoruesit.

Por prokurorët e cështjes thonë se disponojnë fletëdaljen nga garda të pistoletës, si edhe dëshminë e shefit të armatimit që tregon se armën e ka marrë Prendi. Ndërsa për dy të tjerët është dhënë masa e arrestit shtëpiak pasi vepra për të cilën akuzohet, sipas burimeve të gjykatës, nuk parashikon rrezikshmëri shoqërore.

Gjatë ditës ishin në prokurori edhe ekspertë të FBI-së, të cilët në orët e paradites vizituan prokurorinë e Tiranes, nga ku doli edhe kërkesa për arrest me burg per tre të akuzuarit e prokurorisë, por që në fakt nuk u pranua nga gjykata, e cila dha masën e arrestit shtëpiak.

Pritet që brenda tre ditëve gjenreal Prendi, Margarit Kume dhe Armando Kasaj, të paraqiten në gjykatë për të bërë njohjen e masës së sigurimit personal.

Top Channel