Në një javë, mbi 16 mijë qytetarë me grip

23/01/2012 00:00

Shqipëria nuk ndodhet ende në fazën kulmore të përhapjes së
infeksioneve, viruseve, gripit. Pavarësisht kësaj, temperaturat e ulëta
kanë sjellë përkeqësimin e situatës në spitale e qendra shëndetësore.

Konkretisht, të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik, sipas “Shqip” raportojnë mbi 16 mijë pacientë të prekur nga virozat e stinës brenda një jave në të gjithë vendin. Por shifrat janë edhe më të larta, ndërsa mbajmë parasysh që të dhënat e ISHSP-së u referohen vetëm pacientëve të regjistruar në spitalet e vendit. Një pjesë e mirë e pacientëve, të cilët preken nga virozat, nuk paraqiten te mjeku dhe e kalojnë në shtëpi, ose duke marrë medikamente e receta pranë mjekut farmacist.

Ende nuk ndodhemi në pikun e situatës së përhapjes së viruseve dhe virozëve, por pavarësisht kësaj ndodhemi në sezonin e gripit. Informacioni është konfirmuar edhe nga autoritetet shëndetësore, të cilat kanë deklaruar se në një situatë të tillë, kur temperaturat e ulëta kanë qenë për disa ditë konstante, numri i pacientëve që paraqiten në spitale është rritur nga dita në ditë. Sipas të dhënave, piku i përhapjes së infeksionit është nga janari deri në fund të muajit mars, kur shpërthen edhe vala më e rrezikshme e përhapjes së gripit.

Drejtori i shëndetit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, ka dhënë një listë me udhëzime për të gjithë popullatën, në një situatë kur ndodhemi zyrtarisht në sezonin e gripit.

“Të zbatohen masat e higjienës respiratore, të shmanget frekuentimi i ambienteve të mbyllura publike nga personat që janë të prekur nga gripi apo shfaqin shenja dhe ankesa të gripit. Të sigurohet temperatura dhe ajrimi i duhur i ambienteve të brendshme për të mundësuar funksionimin normal të aparatit të frymëmarrjes dhe reduktimin e ngarkesës mikrobike dhe virale”, tha Bejtja. Sipas tij, qytetarët duhet të vishen me veshje të ngrohta në rast daljeje jashtë për të ruajtur temperaturën trupore. Qytetarët duhet të ushqehen me kaloritë e duhura dhe të shmanget përdorimi i alkoolit.

Top Channel