Mbyllja e “Kurum”, protestojnë sindikatat

23/01/2012 00:00

Që prej datës 2 janar, rreth 700 metalurgë të punësuar nga kompania turke “Kurum” në Elbasan nuk punojnë pasi firma e njohur ka ndërprerë punën për shkak të mosfurnizimit me energji elektrike nga kompania CEZ Shpërndarje.

Punëtorët e kompanisë “Kurum”, si dhe kolegë të tyre nga rrethet kanë protestuar para Ministrisë së Energjetikës për rikthimin e tyre në vendet e punës.

Kreu i Federatës së Industrisë, Tafë Kolecaj dhe kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura, Kolë Nikollaj kanë kërkuar nga qeveria të mos penalizojë punëtorëet por të zgjidhë krizën ekonomike.

Sipas sindikatës,ndërprerja e punës nga firma “Kurum” erdhi pas një vendimi të qeverisë për liberalizimin e tregut të energjisë ku klientë të kualifikuar si “Kurum” që konsumojnë mbi 50 milionë kilovat/orë energji në vit duhet ta sigurojnë vetë energjinë elektrike në treg.

Por në kushtet aktuale, kur cmimi i energjisë është mjaft i lartë, kompania “Kurum” ka zgjehdur të mbyllë aktivitetin e saj duke lënë pa punë rreth 1200 punëtorë, mes tyre dhe gra.

Top Channel