Kredia, kushtet e Bankës Botërore

23/01/2012 20:25

Banka Botërore i ka vendosur kusht qeverisë të ulë fort borxhin që ka parashikuar të marrë për tre vitet e ardhshme në këmbim të kredisë shtesë prej 200 milionë dollarë.

Top Channel ka mësuar listën e detajuar të kushteve, që ekspertët e bankës i kanë përcjellë qeverisë në negociatat që po mbahen mes palëve.

Pika e parë nis me rishikimin e buxhetit të sapomiratuar të këtij viti, ku banka kërkon uljen e deficitit  nga 3 për qind që ka vendosur qeveria me ligj, në 2.5 për qind.

Ndërsa për dy vitet e ardhshme ulja e borxhit imponohet edhe më e fortë. Për 2013-ën banka kërkon që deficiti të zbresë nga 3 për qind, që është parashikuar në kuadrin makroekonomik, në 2 për qind dhe po kështu edhe për 2014-ën.

Sipas këtij programi që propozon Banka Botërore, vlerësohet se borxhi në fund të vitit 2014 ulet me 2 deri në 3 pikë përqindje më shumë nga ajo që synon qeveria, duke zbritur nga 58.5 për qind në rreth 56 për qind.

Negociatat mes bankës dhe qeverisë vazhdojnë ende. Grupi i parë i ekspertëve të bankës janë larguar, pa asnjë marrëveshje finale me qeverinë, por shumë shpejt pritet që për këtë cështje të mbërrijë në Tiranë një figurë e lartë e bankës.

Vetë qeveria është në një pozicion jo të lehtë, pasi nga njëra anë është në nevojë për financime me interesa të ulëta, sidomos nga jashtë, për të ruajtur stabilitetin e ekonomisë së vendit.

Por nga ana tjetër, pranimi i kushteve që ka vendosur banka i imponon asaj ndërprerjen e disa projekteve kryesore që ka ndërmarrë në infrastrukture, pikërisht tani kur vendi po hyn në një vit zgjedhor.

Top Channel