Berisha arrin nivele absurdi (në një intervistë)

23/01/2012 00:00

Mustafa Nano -Në një seri intervistash të dhëna në harkun e pak ditëve në televizione
të ndryshme, Sali Berisha është fokusuar në mënyrë të veçantë tek 21
janari.

Nuk ka faj. E ka hall të madh atë punë. Çdo herë që del në publik ndihet i përndjekur nga nevoja për të sqaruar pa fund detaje e rrethana të asaj ngjarjeje. Mirëpo këto ditë ka qenë i përndjekur edhe nga ideja se raporti i FBI-së ka rënë në duar të Ina Ramës. Ky raport, për përmbajtjen e të cilit ai duhet të jetë informuar nga burimet e veta, e ka bërë që t’i bëjë lëmsh versionet mbi atë ngjarje. Madje, e ka bërë të bëhet lëmsh dhe vetë. Dhe kjo gjë u duk më qartë se rrallë herë më parë në intervistën që ai dha në “Vizion Plus”. Aty, përballë Alfred Pezës, ai ka qenë si në gjendje përçartjeje (Peza nuk është se ishte agresiv me të, por arriti ta ndiqte në çdo hap dhe t’i bënte pyetje një pas një). Janë të panumërta mufkat, kondradiksionet logjike, ikjet prej temës, rikthimi te tema të tjera ‘të dashura’ për të (Ina Rama, Bamir Topi, Edi Rama etj.), përgjigjet e llojit “lëre tani atë punë”, “po dihet ajo”, “po kush nuk e di atë” etj., etj., të cilat të bëjnë ta vësh seriozisht në dyshim shëndetin dhe ekuilibrin psiko-mental të Kryeministrit shqiptar. Po numëroj disa më poshtë.

Fred Peza u ndal në një moment te paralajmërimi që ai i ka bërë Ramës më 23 janar të vitit të shkuar (atë ditë iu drejtua personalisht Edi Ramës nëpërmjet kamerave: “provoje prapë po deshe, por do të ndëshkoj siç ndëshkohet një bandit; do të ndëshkoj vetëm ty; të tjerët do jenë të amnistuar”), të cilin Berisha e përsëriti sërish disa ditë përpara njëvjetorit të asaj date; dhe e pyeti më tepër për ta detyruar ta ripranonte se sa për t’u qartësuar vetë: Është ky një kërcënim? Përgjigjja e tij ishte: “Absolutisht asnjë kërcënim, por thjesht një qëndrim real, nga i cili nuk do të lëviz ndonjëherë”. Këtij argumenti i kthehet vetë, krejt pa arsye, më poshtë, dhe biseda është kjo: “Nuk i kam thënë z. Rama asnjë kërcënim dhe duhet ta dijë se nuk e kërcënoj kurrë, por duhet ta dijë se i qëndroj fjalës sime në mënyrën më absolute. Peza: Në fakt nëse e lexon, merret si kërcënim. Kryeministri: Jo nuk është kërcënim, por nuk lëviz nga pozicioni im.” Arrini ta ndiqni? Nuk është faji im, nëse jo. Unë thjesht po e riprodhoj bisedën.

Më poshtë ai bën një afermacion, të cilin nuk e kish bërë më parë: “Në gjithë këto pesë orë të puçit, kryetari i opozitës u instalua në godinën përkarshi me një megafon me besimin e verbër se do të vinte dhe do të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime.” Pritej që Peza ta pyeste: e keni të saktë këtë? Dhe Peza nuk zhgënjen. Ju mendoni se përgjigjja e tij është e dokumentuar? Jo, as që bëhet fjalë. Ja përgjigjja e tij germë për germë: “Absolutisht, shumë të saktë; kam shumë të sakta edhe gjëra të tjera; edhe për tjetrën, që kishin futur armë në bodrumin e asaj ndërtese ku rrinte kryetari, te dy kullat.” Edhe këtë nuk na e kish thënë më parë. Nuk jep asnjë fakt, asnjë të dhënë, asnjë informacion, asnjë dëshmi në mbështetje të këtij pohimi; thjesht i thotë me shpresën se gazetari përballë tij do të lodhet duke bërë të njëjtën pyetje: ku e dini këtë gjë? Dhe gazetari lodhet vërtet, ose vjen një çast, kur ai e sheh krejt të kotë ta bëjë atë pyetje për herë të n-të.

Njihet tanimë pohimi i tij, se Edi Rama ka pasur mbështetjen totale të prokurores, të Presidentit etj. E përsëriti këtë pohim, duke e shoqëruar me frazën: “Dihen tashmë. Këto veprime u bënë në një koordinim makabër”. Dhe më poshtë thekson: Natyrisht kishte disa opsione [reagimi]; mund t’ua ktheja reston në mënyrën më të vendosur. Peza pyet: Që do të thotë? Kryeministri përgjigjet: Që do të thotë se mund të merrnin atë që meritonin, por interesa të tjera prevaluan, interesi që e keqja duhet zvogëluar… Peza vijon: Keni pasur plan që edhe ta shkarkonit kryeprokuroren? Kryeministri ia pret: Jo, ajo nuk meritonte shkarkim, ata meritonin shumë më tepër se shkarkim, sepse ata të cilët u angazhuan në një veprimtari antikushtetuese, për të rrëzuar me forcë një qeveri legjitime, për ata ligjet janë të qarta. Peza: Pra meritonin arrestimin? Kryeministri: Ata meritonin ligjin dhe nuk e morën ligjin. Ajo që heton ngjarjen është një organizatore, është pjesë e këtij puçi”. Peza: Është akuzë e rëndë për kryeprokuroren kjo… Kryeministri: Absolute, janë të verifikuara këto. Ata të cilët organizuan këtë kishin dy skenarë: njëri ishte që natyrisht do të pushtonin zyrën dhe do të ishin të qetë, në variantin tjetër ishte se do të më bënin rreshtore mua, ata e dinë. Rreshtore Kryeministrit të zgjedhur me votën e lirë të shqiptarëve.” Ka nevojë të komentohen këto?

Ka një moment tjetër të intervistës, ku Berisha duket si i dalë fare nga binarët. Të gjithë shqiptarët (edhe berishianët, duhet thënë) janë duke pritur një hetim të vrasjeve që u bënë atë ditë, dhe Berisha na garanton se ajo ngjarje do hetohet se s’bën. “Ngjarje të tilla të rënda nuk amnistohen kurrë. Jo. Ngjarje të tilla të rënda kanë vetëm një përgjigje: hetimin e plotë dhe të vërtetën në shesh”, thotë ai. Ju mendoni se e ka fjalën për të zbuluar autorët e vrasjeve? Jo, e ka fjalën për autorët e puçit, të cilët ai në fakt i ka gjetur. Peza e ndihmon pak, që ai të bëhet më i qartë: “Kur thoni se do të hetohet, keni parasysh këtu faktin se do të zgjidhet një president i ri dhe më pas kjo mazhorancë, për shkak të mbarimit të mandatit do të zgjedhë një prokurore ose prokuror të ri, dhe këta të rinjtë do të hetojnë paraardhësit e tyre?” Përgjigjja e Berishës është: “Ky është një problem i rëndësishëm, duhet të marrë zgjidhje ligjore.” Dhe aty për aty jep një “të dhënë”: “Të jesh i bindur ti, që ato dy ditë me Bamir Topin dhe Ina Ramën janë zhvilluar, jo nga unë [nga të tjerë], dhjetëra kontakte, dhe e kanë shitur dhe blerë njëri-tjetrin gjatë atyre dy ditëve nja 15 herë.” Peza: Paskan qenë të përgjuar? Kryeministri: “Jo, i bindur të jesh, jo. Nuk ke për të gjetur kurrë, mbaje mend këtë, njeri që të thotë se më përgjoi Sali Berisha”.

Më poshtë po ju sjell një copëz bisede, të cilën çdo koment do ta ndotte:

Peza: Çfarë përgjegjësie ndieni sot pas një viti për 4 të vrarët? Kryeministri: Ndiej keqardhje. [Por] dhe 100 herë mund të theksoj se një institucion i një vendi të lirë nuk mund të pushtohet. Peza: Kush ka dhënë urdhër të qëllohej, keni dhënë ju urdhër apo ndonjë vartësi juaj? Kryeministri: Ligji i gardës është ky, po e gjuajte ushtarin me gur, me dru, me çdo gjë tjetër, nuk të gjuan me gur, nuk të gjuan me dru; nuk ka ushtar në botë që po ta gjuash nuk të drejton armën. Peza: Po thoni se katër viktimat kanë ardhur nga garda për shkak të detyrës? Kryeministri: Jo, garda ka qëlluar në zbatim të ligjit; sesi kanë ardhur viktimat kjo do jetë një proces hetimi. Peza: Keni deklaruar atë ditë se nga protestuesit ka pasur pistoleta armë, çadra armë. Kryeministri: Janë të gjitha informacionet. Peza: Ka diçka që duhet të ridimensiononi pas një viti nga informacionet që keni thënë? Kryeministri: Tani, …në mënyrën më të padiskutueshme kurrë ndonjëherë nuk do të pranoj që kjo çështje të mos zbardhet tërësisht. Peza: Pra ju i qëndroni deklaratës që keni thënë se ka pasur njerëz me çadra-pistoletë? Kryeministri: Unë i qëndroj informacionit që kam pasur. Peza: Ka pasur një problem në atë kohë pas firmosjes së urdhër-arresteve për zinxhirin drejtues të gardës dhe nuk u lejua ekzekutimi i këtyre urdhërarresteve nga ana e policisë. Kryeministri: Jo, nuk u lejuan nga Kryeministri. Peza: Shihni një paralele mes 21 janarit dhe 14 shtatorit 1998? Kryeministri: Dhe po t’i marrësh kështu, më 14 shtator ‘98 [Kryeministria] ishte bosh, ndërsa më 21 janar ishte plot Kryeministria, edhe Erla ishte këtu në detyrën e vet, të gjithë ishin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel