Vetëvendosje, sot “Serbia nuk kalon”

22/01/2012 00:00

Pika kufitare e Dheut të Bardhë, midis Kosovës dhe Serbisë është bllokuar, ndërsa Vetëvendosje ka nisur prej orës 13:00 aksionin e saj për bllokimin e hyrjes së mallrave serbe në vend.

Përveç këtij pikëkalimi, aktivistët e “VV” ndodhen edhe në Merdarë, në përpjekje për të bllokuar kalimin edhe në pikën kryesore doganore midis dy shteteve.

Radhët e policisë janë të shumta, por midis protestuesve, është ndaluar për t’u kontrolluar imtësisht vetëm makina që transportonte liderin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurtin, bëjnë të ditur gazetarët e “Top-Channel” në terren.

Ndërkohë, në Morinë, mbështetësit e bllokadës nga Shqipëria janë penguar sërish në kufi, me argumentimin zyrtar se shoferi i autobusit nuk ka çertifikatë mjekësore.

Protestat vijnë pas mocionit të së premtes të Kuvendit të Kosovës, i cili bën thirrje për respektimin e marrëveshjeve me Serbinë, të arritura në kuadër të dialogut në Bruksel.

Ky mocion i iniciuar nga grupi parlamentar i PDK-së, rrëzoi atë të Lëvizjes Vetëvendosje, të 7 dhjetorit, i cili kërkonte respektimin e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë.

Udhëheqësit e Lëvizjes Vetëvendosjes edhe një herë u treguan të vendosur për protestën e 22 janarit, e cila sipas tyre ka për qëllim mos lejimin e mallrave serbe që të hynë në Kosovë.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se protestat e sotme synojnë që me bllokimin e mallrave të Serbisë të mbrohet Republika e Kosovës dhe prodhimi vendor.

Kurse dje, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se do të veprojnë edhe në mënyrë institucionale, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me mocionin e ri të iniciuar nga PDK-ja.

Top Channel