Lëvizja Vetëvendosje njoftoi të shtunën se protesta e planifikuar për të dielën më 22 janar do të ketë skenar të njëjtë me atë të 14 janarit.

Kryetari i lëvizjes, Albin Kurti deklaroi se protestat do të zhvillohen sërish në pikat kufitare të Merdarës dhe Dheut të Bardhë, ku një javë më parë u regjistruan përleshje me policinë.

Gjatë një konference për shtyp, Kurti kritikoi mocionin e PDK-së të miratuar të premten në Parlamentin e Kosovës, që rrëzon atë të Vetëvendosjes për reciprocitet total me Serbinë.

“Me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit, Serbisë iu hap rruga ekonomikisht. Ndërsa me mocionin e 20 janarit, asaj iu hap edhe rruga politike”, deklaroi Kurti.

Ashtu si në protestën e mëparshme, Kurti ritheksoi se protesta e 22 janarit synon vetëm mbrojtjen e Republikës së Kosovës dhe prodhimin e artikujve vendas.

Kryetari i Vetëvendosjes foli edhe për një takim të zhvilluar sot me presidenten Atifete Jahjaga, të cilin e cilësoi më tepër si një takim informues mbi zhvillimet e fundit sesa një thirrje për të hequr dorë nga protesta e nesërme.

Kurti shtoi më tej se nuk kishte marrë ndonjë ftesë nga kryetarja e shtetit për mbajtjen e një tryeze politike, një lajm ky i publikuar së fundmi nga mediat kosovare.

Policia e Kosovës: Do veprojmë sipas ligjit

Policia e Kosovës paralajmëron me një komunikatë për shtyp, se do të marrë edhe nesër të gjitha masat konform Kushtetutës për të siguruar rendin, qetësinë publike dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave përmes vendkalimeve kufitare të Merdarës e Dheut të Bardhë.

“Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e nesërme nga subjekti politik Vetëvendosja, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar urdhërin operativ të quajtur “Lëvizja dhe Qarkullimi i Lirë 2””, thuhet në komunikatë.

Policia konfirmon shtimin e masave të sigurisë për qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave përgjatë rrugëve nga vendkalimi kufitar Merdarë për në Prishtinë, si dhe nga vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë për në Gjilan.

Po ashtu, plani do të fokusohet te garantimi në mbarëvajtjen e qarkullimit të trafikut me qëllim të qarkullimit të lirë në rrugë, si dhe moslejimin e vendosjes së pengesave në rrugë dhe në vendkalime kufitare.

Një thirrje Policia e Kosovës u drejton të gjithë qytetarëve që të shmangin të gjitha veprimet anti-ligjore dhe të mos bien pre e provokimeve.

Top Channel