Pas një dite të gjatë, Prokuroria ka vendosur të hetojë rrjedhjen e videos së transmetuar të enjten në mbrëmje në emisionin “Opinion”.

Ndërsa gjatë gjithë ditës Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Tiranës nuk po vendoste se e kujt ishte kompetenca për të hetuar mbi nxjerrjen e sekretit hetimor për video-përgjimin Prifti-Beqiri. Në orët e mbrëmjes dilemën e zgjidhi vetë Ina Rama.

Burimet zyrtare bënë të ditur se prokurorja e përgjithshme ka urdhëruar Prokurorinë e Tiranës të nisë verifikimet për të gjithë ata persona që kanë patur akses në dosjen Beqiraj-Prifti, një dosje në hetim dhe Meta-Prifti, për të zbuluar më pas se kush janë personat përgjegjës që nxorrën këtë video, e cila konsiderohet si provë dhe përbën vepër penale.

Mes personave që do të verifikohen janë edhe tre ekspertët shqiptarë që kryen ekspertizën në video-përgjimin Meta-Prifti, në orën, laptop-in dhe usb-në.

I kontaktuar nga Top Channel për ta konfirmuar këtë informacion zyrtar, këshilltari i Prokurorisë së Përgjithshme, Plator Nesturi tha se është vendosur që kompetenca për këtë cështje t’i kalojë për verifikim Prokurorisë së rrethit Tiranë.

Transmetimi i videos Prifti-Beqiri duket se ka surprizuar Prokurorinë që po heton për këtë cështje dhe pikërisht për këtë arsye kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit Dritan Prifti.

Video e transmetuar u bë objekt polemikash për shkak se në të tregoheshin dy zyrtarët me një shumë të hollash në valutë mbi tavolinë.

Nga transmetimi i videos, njëri prej bashkëpunëtorëve të zotit Meta, Spartak Braho, që ia dorëzoi këtë video emisionit “Opinion”, akuzoi Priftin për korrupsion, ndërsa ky i fundit përmes një deklarate të dhënë akuzoi për montazh dhe prerje të pjesëve kryesore, duke u shprehur se video e plotë është 45 minuta, e ka regjistruar ai vetë dhe nuk ka korrupsion.

Jashtë deklaratave, cështja e videos Prifti-Beqiri duket se do të zgjidhet përfundimisht në fund të hetimit të prokurorisë, hetim të cilit tashmë do t’i shtohet edhe verifikimi për ata që e kanë nxjerrë këtë provë dhe ia kanë dhënë palëve të treta, sic dyshon prokuroria.

Për këtë arsye pritet që të hënën Prokuroria e Tiranës të nisë veprime konkrete mes të cilave sekuestrimin e DVD-së nga televizioni që e transmetoi, si dhe thirrjen e personave që kanë patur akses në dosje, ku nuk përjashtohen edhe tre ekspertët shqiptarë.

Top Channel