Naço: Nuk kemi kufizime të dritave

20/01/2012 08:30

Vendi ka hyrë në muajin e dytë të ndërprerjes masive të dritave dhe askush nga institucionet shtetërore apo private nuk japin një sqarim se si do të jetë ecuria në të ardhmen.

Si CEZ, ashtu dhe OST, njëra private, kurse tjetra në pronësi të Ministrisë së Ekonomisë, fajësojnë njëra-tjetrën për kufizimin e energjisë elektrike, duke mos mbajtur përgjegjësi më vete, ndërsa vendi vijon të jetë i zhytur në errësirë, pasojat negative e të cilës po ndihen.

Sakaq, siç raportoi “Shqip”, OST njoftoi sërish dje se Tirana dhe qytetet kryesore të jugut nuk do të kenë energji elektrike, gjithnjë për shkakun e rrjetit të dobët.

Se çfarë po ndodh me sistemin energjetik shqiptar dhe si pritet të jetë në të ardhmen, mund ta jepte si zgjidhje vet Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, në analizën e punës 1-vjeçare, që në fakt nuk ndodhi.

Ministri pranoi se ka ndërprerje të energjisë, por shtoi se nuk kanë lidhje me sasinë, sesa me rrjetin. “Unë besoj se nuk janë kufizime, por janë defekte teknike. Mund ta them me bindje se METE dhe qeveria i kanë marrë të gjitha masat”, – u shpreh Ministri dje para mediave, por pa shtjelluar më tej se cilat janë masat që qeveria paska marrë.

Një pjesë dihet dhe është përmbushur: importi i energjisë nga KESH. Në këtë pikë, qeveria ka miratuar fondin e garancisë, duke lejuar korporatën të blejë energji me çdo kusht, pavarësisht çmimit, vetëm që vendi të mos ketë probleme.

Megjithatë, kriza duket se është e pashmangshme dhe krejt papritur ka gjetur të papërgatitur qeverinë, e cila nuk është në gjendje të paraqesë një situatë konkrete se çfarë realisht po ndodh me dritat. “Të mos ngatërrojmë defektet teknike nga pjesa tjetër e furnizimit që bëhet. Vetëm dje janë konsumuar rreth 25 milionë kilovatorë dhe përsëri ne kemi marrë të gjitha masat për të blerë energji elektrike, qoftë edhe me çmim të lartë, për të mbrojtur interesat e konsumatorëve vendas”, – ishte një tjetër sqarim i ministrit për situatën kritike, por larg realitetit sa i takon përgjegjësive direkte.

Ministri deklaroi se mungesa e dritave vjen për shkaqe teknike, por nuk sqaroi se pse kemi arritur në këtë situatë dhe cilat janë këto defekte teknike apo kush po i shkakton.

Duke e ditur mjaft mirë se kufizimet kanë ardhur kryesisht për shkak të rrjetit të dobët të menaxhuar nga OST, ndërmarrje 100 për qind shtetërore, Ministria e Ekonomisë nuk mori përsipër të bënte transparente arsyet se pse Transmetimi ka shpeshtuar stakimin e linjave, cilat janë motivet dhe kur do t’i jepet fund.

Analiza 1-vjeçare

Jo pa qëllim, ministri i Ekonomisë e nisi prezantimin e analizës së punës 1-vjeçare në Ministri me sektorin energjetik, më i rëndësishmi për vendin dhe më i ndjeshmi për konsumatorët. Naço foli për dy ligjet e reja të modelit të tregut, ku njëri, më i diskutuari kohët e fundit, detyron bizneset e mëdha ta sigurojnë vetë energjinë nga jashtë dhe mos ta marrin më nga CEZ, “duke i kursyer kështu buxhetit të shtetit 50 milionë dollarë”.

Sa i takon linjave energjetike, shkaktaret e krizës aktuale, Ministri përmendi disa projekte me financim të huaj, si interkonjeksioni 400 kilovolt Elbasan-Podgoricë, i cili ka nisur punën, ashtu edhe nënstacioni 400, 220, 110 kilovolt Tirana 2, Kashar.

Mësohet, se gjithashtu ka përfunduar ndërtimi dhe është i gatshëm për t’u vënë në prodhim TEC-i Vlorës.

Në lidhje me kontratat në fushën e koncesioneve me HEC-et, Ministria ka dhënë vitet e fundit rreth 110 leje për biznesin vendas dhe të huaj, të cilat parashikojnë ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve të vegjël apo të mesëm e të mëdhenj, me një fuqi të instaluar rreth 1400 megavat.

Vetëm në vitin 2011, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nënshkruar 12 kontrata koncesioni me biznesin vendas dhe të huaj, të cilat parashikojnë ndërtimin e rreth 50 hidrocentraleve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj, me një fuqi të instaluar rreth 300 megavat dhe me një vlerë investimi rreth 40 miliardë lekë.

“Vetëm në tremujorin e fundit të vitit 2011 kanë filluar prodhimin katër hidrocentrale me fuqi të instaluar prej rreth 20 megavat, me vlerë investimi rreth 3 miliardë lekë”, – tha Ministri.

Top Channel