Kriza frenon të ardhurat

20/01/2012 00:00

Ngadalësimi i rritjes ekonomike në nivelet më minimale të 20 viteve të
tranzicionit ka ndalur rritjen e të ardhurave për frymë të qytetarëve
shqiptar në raport me Bashkimin Europian.

Muajin e kaluar Eurostat, agjencia zyrtare e statistikave të Bashkimit Europian, publikoi shifrat e mirëqënies për 27 vendet e unionit përfshirë dhe ekonomitë e rajonit tonë në proces integrimi.

Sipas Eurostat në vitin 2010, të ardhurat për frymë të Shqipërisë, sipas standardit të fuqisë blerëse, u stopuan në të njëjtin nivel si në vitin 2009, sa 28 për qind e mesatares së BE-së. Në 2009-ën, të ardhurat për frymë të shqiptarëve u rritën sipas Eurostat me 2 pikë përqindje ndaj mesatares së Bashkimit Europian.

Por kjo rritje duket e lidhur me faktin se Europa në atë vit hyri në recesion dhe prodhimi i 27 vendeve anëtare u tkurr me 4.3 për qind. Sapo ekonomia e BE-së doli nga vala e parë e krizës, në vitin 2010 të ardhurat relative për frymë të Shqipërisë u stopuan.

Shqipëria është vendi më i varfër në 34 shtetet europiane, anëtare ose në proces integrimi në Bashkimin Europian me te ardhura sa vetem 28 % e mesatares se BE. Më lart renditet Bosnja me 31 për qind dhe Serbia me nivel të ardhurash 35 për qind e BE-se. Që nga fundi i vitit 2005, të ardhurat për frymë janë rritur me vetëm 6 për qind ndaj mesatares së BE-së ose mestarisht 1 pikë përqindje në vit. Nëse edhe në të ardhmen ruhen këto ritme zhvillimi, shqiptarët kanë shpresa të jenë të pasur si europianët me të cilët aspirojnë të integrohen, pas 70 vitesh, diku nga 2080-a.

Top Channel