I dënuar me “burg” elektronik

20/01/2012 00:00

Rreth 300 persona që vuajnë heqjen e lirisë në burgjet shqiptare pritet të përfitojnë një tjetër mënyrë alternative të dënimit, që është ajo e mbikëqyrjes elektronike.

Shqipëria do të aplikojë për këtë risi të dënimit altrenativ modelin britanik, ndërkohë që kreu i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wolfarth ka nënshkruar me ministrin e Drejtësisë Eduart Halimi memorandumin për fillimin e implementimit të mbikëqyrjes elektronike. C’ka do të thotë se gjithë ky proces do të ndiqet nga ekspertë të OSBE-së.

“Sot është një ditë e rëndësishme sepse nis një nga reformat më ambicioze të Ministrisë së Drejtësisë që synon implementimin për reformën për mbikëqyrje elektonike për të denuarit. Fillimi i kësaj reforme dhe ecurinë e saj po e kryejmë me një memorandum me prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Qeveria shqiptare nëpërmjet këtij projekti do të vendosë të gjitha burimet financiare që do mbështeten nga prezenca e OSBE-së”, ka deklaruar Halimi.

“Ne si prezencë e OSBE-së në Shqipëri e shohim këtë hap si shërbim ndaj popullit shqiptar për të cilin edhe jemi këtu. Dhe nga këndvështrimi ynë kjo është dicka që e bënë vendin tuaj një vend shumë modern drejt inrtegrimit europian. Sigurisht, e bazuar kjo në Kushtetutën dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri”, ka thënë më pas ambasadori Wolfarth.

Top Channel