Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti ditën e enjte në presidencë, kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, në kuadër të zhvillimeve më të fundit politike në vend, si dhe të realizimit të reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në këtë takim, presidenti Topi ka ripërsëritur edhe njëherë qendrimin e tij para Wolfarth për domosdoshmërinë e dialogut konstruktiv ndërpartiak, konsensus dhe komunikim funksional institucional  të gjithë faktorëve e aktorëve politikë në vend, duke vënë në dukje nevojën e realizimit të reformës zgjedhore, të asaj në drejtësi, sidomos miratimit të Gjykatës Administrative në mënyrë që të përmbushen të gjitha kriteret e rëndësishme të një vendi demokratik që synon integrimin zyrtar në familjen europiane.

“Nga ana e tij Kreu i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Volfart i shprehu Presidentit Topi mbështetjen e mëtejshme e të palëkundur për ushtrimin e mandatit të tij në respekt të Kushtetutës e ligjeve në fuqi, duke vënë njëkohësisht në pah rëndësinë që të gjitha palët duhet të shënojnë përparim konstruktiv me reformën zgjedhore dhe reformat e tjera të nevojshme që i shërbejnë interesave madhore të popullit shqiptar”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Top Channel