Papunësia nuk ndryshon

19/01/2012 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare të Institutit të Statistikave nga tregu i
punës japin sinjale për një ngadalësim tjetër të ekonomisë në tremujorin
e tretë të vitit 2011.

Sipas INSTAT gjatë periudhës korrik-shtator, ekonomia prodhoi vetëm 353 vende të reja pune, shifra më e ulët që nga fundi i vitit 2009. Kjo ka bërë që niveli i papunësisë të qëndrojë në, 13.25 për qind, gati i njëjtë me atë të një tremujori më parë. Papunësia në Shqipëri arriti kulmin në fillim të vitit 2010, kur numri i të papunëve për shkak të krizës kërceu në 13.83 për qind të totalit.

Që nga ajo kohë shifra e papunësisë është zbutur duke arritur në 13.26 për qind në tremujorin e dytë të 2011 dhe 13.25 për qind në të tretin. Ngadalësimi në tregun e punës është një sinjal jo i mirë për ekonominë, e cila dha prova të ngadalësimit të fortë në tremujorin e dytë të vitit, ku rritja e prodhimit zbriti sipas INSTAT në nivelin minimal 0.5 për qind. 

66 përqind më shumë se një vit pa asnjë punë

Shifrat e papunësisë në Shqipëri shfaqin një realitet në dukje paradoksal. Edhe pse norma zyrtare e papunësisë ulet, numri i të papunëve, po sipas shifrave zyrtare mbetet gati i njëjtë. Prej disa vitesh armata e të papunëve në Shqipëri numëron rreth 142 mijë vetë.

Me luhatje të vogla kjo shifër duket konstante, çka do të thotë se ekonomia mund te prodhojë vende pune vetëm sa për të përballuar shtesën natyrale të forcave të punës, ndërsa 142 mijë të papunët aktual janë të destinuar të mbeten po aq. Anketa e fundit e INSTAT mbi tregun e punës zbuloi se shumica dërrmuese e të papunëve në Shqipëri, rreth 66 për qind e tyre janë afatgjatë, dhe kanë më shumë se një vit në kërkim të punës.

Ekspertët thonë se këta individë, përvecse rreziokohen nga demotivimi, janë të të rrezikuar edhe nga varfëria ekstreme.     

Top Channel