Qirjako: Pas bashkisë, puna e ndërtuesit mbyllet te hipoteka

18/01/2012 08:20

Procesi i ri i regjistrimit të pronave në hipotekë duket se ka sjellë ndryshime pozitive për sektorin e ndërtimit.

Marrëveshjet e firmosura muaj më parë mes kreut të Bashkisë së Tiranës dhe ministrave të Drejtësisë dhe Transporteve kanë sjellë rezultate të frytshme për sektorin. Megjithatë, drejtues nga hipoteka japin disa sqarime të rëndësishme lidhur me mbarëvajtjen e procesit dhe çfarë duhet të paraqesë subjekti privat.

“Subjektet ndërtuese me pajisjen me leje ndërtimi, ose leje shfrytëzimi, siç quhej më përpara, duhet të aplikojnë pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të patundshme dhe brenda 30 ditëve këta pajisen, nëse i kanë edhe të gjitha kontratat e shkëmbimit me pronarët e truallit, me certifikata të pronësisë për pallatin në tërësi dhe për apartamentet në veçanti”, sqaroi Qirjako.

Prej kohësh është krijuar një klimë keqkuptimi e qytetarëve se gjoja bashkia po jepte certifikata për regjistrimin e lejeve të ndërtimit, të bllokuara nga hipoteka për shkak të parregullsive. Ajo çfarë ka ndodhur deri tani nuk është gjë tjetër vetëm lehtësim i procedurave nga bashkia dhe miratimi i disa dosjeve të prapambetura, duke ia kaluar hipotekës për shqyrtim final.

“Nga 124 dosjet e dorëzuara nga Bashkia e Tiranës janë regjistruar 107 objekte shumëkatëshe. Dua të theksoj se puna ka qenë voluminoze për regjistrimin e tyre, e zhvilluar paralelisht me punët e tjera me të cilat e ka për detyrë ligjore të merret Zyra e Pasurive të Patundshme”, tha dje për mediat, kreu i përgjithshëm i Hipotekave, Arben Qirjako. Ai thekson se, për pjesën tjetër të dosjeve, të cilat nuk janë regjistruar, i është komunikuar subjekteve ndërtuese dhe për dijeni shoqatës së Ndërtuesve, Tiranë të aplikojnë pranë Zyrës Vendore të Pasurisë së Patundshme dhe për pjesën tjetër të plotësojnë dokumentacionin teknik, i cili duhet për regjistrimin e këtyre objekteve.

Bashkia e Tiranës është duke mbyllur procesin e miratimit të lejeve të përdorimit, edhe për një grup prej rreth 25 dosjesh, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese, për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm për pajisjen me këto leje. Dosjet që po shqyrtohen përmbajnë një numër prej 1000 apartamentesh banimi, por edhe të një numri të madh ambientesh tregtare, shërbimi apo parkimi, të gjitha këto, me një sipërfaqe totale prej rreth 175.000 m² ndërtim.

Top Channel