Devoll, ngricat, viktima e tretë

18/01/2012 00:00

Një 60 vjecar nga Mirasi i Devollit ka humbur jetën si pasojë e temperaturave të ftohta të rajonit Jug-Lindor duke u rregjistruar si viktima e tretë brenda ditës.

Bexhet Sina është gjetur i pajetë në banesën e tij. Pas mbërritjes në vendngjarje blutë e Komisariatit të Devollit kanë nisur hetimet.

Sipas të dhënave paraprake nga vendi i ngjarjes, por edhe rrëfimet e familjarëve, viktima ka pësuar një atak kardiak.

Ndërkohë në mëngjes u njoftua se një cift bashkëshortësh gjeti vdekjen në Lumalas të Korcës si pasojë e asfiksisë të shkaktuar nga monoksidi i karbonit.

Cifti i 75-vjecarëve Shaholli kishin marrë në dhomën e tyre të fjetjes një mangall me qymyr për t’u ngrohur, por në mëngjes u gjetën të vdekur nga familjarët.

Ministria mbyll 5 shkolla për shkak të ngricave

Bllokohen akset nacionale Shkodër-Pukë, Shkodër-Koman, Pukë-Fusha Arrëz dhe Qafë Mali-Kukës

Ministria e Arsimit dhe Shkencës u vë drynin 5 shkollave në zonat verilindore deri në juglindje të vendit.

Kjo për shkak të reshjeve të dendura të borës dhe ngricave që kanë mbërthyer territorin e vendit, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve të transportit. Zyrtarisht sqarohet se është pezulluar mësimi në Alarup, Ostren, Leskovik, Lavdar dhe Voskopojë.

Nga ana tjetër mësohet se 6 komuna me 25 fshatra dhe rreth 5 mijë banorë janë izoluar gjatë 24 orëve të fundit në Qarkun e Shkodrës nga dëbora dhe ngricat, ndërsa në Iballë të Pukës termometri ka shënuar -14 gradë Celsius. Konkretisht janë të bllokuar komunat e Kelmendit me skajin më verior të Vermoshit, Shala e Shoshi në Dukagjin, Iballa dhe Qafë Mali, të cilat nuk mund të komunikojnë me pjesën tjetër të vendit, për shkak të kësaj problematike rrugore. Burime nga zonat e izoluara raportojnë se janë në kushte të vështira për shkak të mungesës së ushqimeve, ndihmës mjekësore dhe energjisë elektrike. Probleme të njëjta evidentohen edhe në akset rrugore nacionale Shkodër-Pukë, Shkodër-Koman, Pukë-Fusha Arrëz dhe Qafë Mali-Kukës, në të cilat mund të kalohet vetëm me zinxhir. Sipas informacioneve të marra nga Shtabi i Emergjencës në Prefekturën e Shkodrës mësohet se nga Ndërmarrja Rruga Ura është duke u hedhur kripë dhe skorie në akset nacionale, të cilat kalohen vetëm me zinxhir. Sipas Shtabit të Emergjencës është duke u bashkërenduar puna me policinë rrugore për këshillimin e drejtuesve të automjeteve dhe mbajtjen nën kontroll të akseve nacionale. Qarku i Shkodrës nuk ka qenë i përfshirë nga reshjet e dëborës, por ngricat e krijuara në rrugë për shkak të temperaturës -14 gradë Celsius kanë bërë që bora të shndërrohet në trashësi akulli, duke e kthyer rrugën në të pakalueshme. Dje është shënuar dhe temperatura më e ulët në qytetin e Shkodrës, ku termometri në mëngjes ka shënuar -6 gradë Celsius, ndërsa mesdita ka pësuar rritje të ndjeshme, ndonëse orët e mbrëmjes janë ftohur sërish.

Nga policia raportohet njëkohësisht se edhe aksi rrugor Shkodër-Tiranë pas mesnate deri në orën 8 të mëngjesit ka një trashësi të lehtë akulli, që është tepër e rrezikshme pasi dallohet me vështirësi nga drejtuesit e automjeteve.

Top Channel